

Durrës, 17 prill 2013, NOA.al- Një ngjarje e rëndë është shënuar në qytetin e Durrësit në zonën e Shkozetit ku gruaja ka qëlluar me armë zjarri të shoqin e saj.
Nga të dhënat parparake thuhet se mes bashkëshortëve ka pasur debate të ashpra, ndërsa dyshohet se gruaja ka qëlluar për vetëmbrojtje.
Siç raporton noa.al i plagosuri me armë i identifikuar si Përparim Zaçellari 35 vjeç, është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të katër plumbave të marrë.
Autorja e kësaj ngjarje 30 vjeçarja Leonora Zaçellari ka qëlluar me pistoletë të shoqin dhe më pas ka njoftuar policinë për tu vetëdorëzuar. Nga ana e uniformave blu dyshohet se shkak për këtë ngjarje të rëndë ka qenë dhuna e ushtruar nga i dëmtuari mbi gruan.a.y/noa.al
Policia flet mbi ngjarjen dhe hetimin
Rreth orës 16.35, në lagjen Nr. 17 Durrës, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri, konkretisht nga të dhënat e deritanishme rezulton se bashkëshortja Leonora Zaçellari, 30 vjece, e martuar, ka plagosur me arme zjarri, pistoletë bashkëshortin e saj, Përparim Zaçellari, 35 vjec. Menjëherë pas ngjarjes Leonora Zaçellari ka kontaktuar shërbimet policore të Sallës Operative duke deklaruar të dhënat për ngjarjen dhe iu është vetëdorëzuar së bashku me armën e krimit efektivëve të mbërritur në mënyrë të menjëhershme në vendin e ngjarjes. Shërbimet policore thanë se po kryejnë menaxhimin e vendit të ngjarjes; të të dëmtuarit për të cilin kanë siguruar transportin drejt spitalit me qëllim dhënien e ndihmës mjekësore, të autores së dyshuar për shoqërimin në polici me qëllim kryerjen e veprimeve proceduriale si dhe veprime në drejtim të ruajtjes së vendit të ngjarjes, marrjes e sekuestrimit të provave materiale në funksion të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe dokumentimit të ngjarjes.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





