

Prishtinë, 17 prill 2013, NOA.al- Një operacion i policisë së Prishtinës ka bërë të mundur arrestimin e dhjetë personave të akuzuar për krim të organizuar dhe korrupsion.
Pas një hetimi afro një vjeçar u bë i mundur ndalimi i dhjetë personave të akuzuar për krim të organizuar, keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhënie rryshfeti, marrje ryshfeti dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm.
Të ndaluarit akuzohen për përfitim personal në një proces të privatizimit, “Vala 34” e tokës bujqësore 91 ha, në fshatin Muzakaj- Kuvendi Komunal i Obiliqit i administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, i shitur për një milion e pesëqind mijë euro (1,500,000.00€).
Të dyshuarit duke vepruar nga pozita të ndryshme si në institucione, AKP-ja, Drejtoria e Kadastrit-Obiliq, dhe të bizneseve duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe duke ndikuar te zyrtarë të tjerë në procesin e privatizimit “Vala 34” të tokës bujqësore 91 ha, në fshatin Muzakaj-KK Obiliq e administruar nga AKP-ja kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme për vete dhe të tjerët.
Gjatë kontrolleve në zyrat e punës, banesat e tyre dhe objekte të tjera janë sekuestruar një sasi dokumentacioni që lidhen me procesin e privatizimit në fjalë; pajisje elektronike:dy kompjuterë; 25 CD të ndryshme; dy telefonë celularë; një mitraloz, një AK -47, një pushkë gjysmë automatike; një automatik tipi Hekler; katër pistoleta të tipave të ndryshëm dhe 130 copë fishekë të kalibrit të ndryshëm.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





