

Në orën 07:30 pjesë të qendrës së Londrës që përshkohen nga kortezhi i përmortshëm me arkivolin e ish-kryeministres Margaret Thatcher, ishin të mbyllura për trafikun. Mbi Westminster dhe mbi katedralen e Shën Palit fluturojnë helikopterët. Rrugët që nga qendra politike e kryeqytetit të çojnë drejt periferisë janë të mbushura me praninë e policisë. Janë mbi 4 000 agjentë policie të përfshirë në këtë operacion gjigant sigurie. Ai që ka vendosur të marrë pjesë në këtë ceremoni ka ardhur prej disa orësh. Ka nga ata që kanë ardhur që pa gdhirë për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni mortore, për të qenë në radhën e parë në Westminster. Arkivoli i ish-kryeministres britanike, e cila vdiq më 8 prill në moshën 87-vjeçare do të niset nga kapela e Shën Mërisë për në ndërtesën e parlamentit. Arkivoli do të kalojë nga Whitehall (zona e ndërtesave qeveritare), nga Downing Street, ku Margaret Thatcher ndenji gjatë viteve 1979-90, për të mbërritur në kishën e shën Klementit ku, nga makina funebër, arkivoli do të prehet në një shtrat topi për të kaluar në katedralen e shën Palit. Big Ben-i do të heshtë në shenjë respekti. Mbretëresha, së bashku me princin Filip, do të marrë pjesë në varrim. Kjo është hera e dytë në 60 vjet që mbretëresha Elisabetta II do të marrë pjesë në një funeral të një kryeministri, pas asaj të Winston Churchillit në vitin 1965. Funerali i Churchillit ishte shtetëror, ky i sotmi do të jetë ushtarak, ashtu siç e kishte kërkuar vetë Thatcher. Do të jenë rreth 700 ushtarakë që do të shoqërojnë arkivolin. Kjo ceremoni si edhe shpenzimet për të, ashtu si vetë figura e "Zonjës së Hekurt" kanë qenë në qendër të diskutimeve duke e ndarë më dysh opinionin publik britanik. Më shumë se 2 000 persona do të jenë në katedralen e shën Palit, ndërmjet tyre shumë liderë të huaj shtetesh dhe qeverish. BBC-ja, ashtu si edhe transmetues të tjerë televizivë britanikë, e ka filluar ditën me një mbulim të gjerë të ngjarjes në fjalë, raporton ANSA.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





