Transmetuar më 17-04-2013, 10:41

Shkup, NOA.al/Naser Pajaziti – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti deklaron se nuk po bën presion ndaj kryeministrit dhe partnerit të koalicionit qeveritar, Nikolla Gruevski për zgjidhjen e kontestit të emrit dhe zhbllokimin e proceseve eurointegruese.

Ahmeti e theksoi këtë mbrëmë në Shkup pas takimit me ambasadorin amerikan në Shkup, Pol Volers, i pyetur se përmes shkrimit të tij të fundit “Koha është për NATO” ka bërë presione dhe sinjale publike në adresë të kryeministrit Gruevskit lidhur me zgjidhjen e kontestit të emrit.

“Kjo nuk do të thotë presion ndaj Gruevskit, kur vlerësoj se vërtetë është koha për në NATO. Por, tani vërtetë ka ardhur momenti që të përafrojmë qëndrimet. Ka interes të madh tek miqtë tanë nga bashkësia  ndërkombëtare për të zgjidhur kontestin e emrit.

Me rëndësi të madhe është relaksimi i marrëdhënieve midis fqinjëve dhe vendeve të Ballkanit”, theksoi Ahmeti. Sipas tij, integrimi në NATO hap dyert edhe për anëtarësim në BE dhe se, BDI ka të drejtën e shpalosjes së opsioneve të saj dhe platformën për të arritur zgjidhje.

“Qëndrimet tona janë të ndryshme me qëndrimet e partive të tjera politike, por BDI është parti e madhe si pjesë e Qeverisë dhe përfaqësuese e një bashkësie të madhe etnike”, tha Ahmeti, pas takimit me ambasadorin amerikan në Shkup, Pol Volers./n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit