

Berlin, 16 prill 2013, NOA.al- Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Berlin, është pritur nga ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Vestervelle.
Vestervelle dhe Hoxhaj gjatë takimit janë dakorduar se pavarësisht epilogut të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova do të ketë perspektivë të qartë evropiane.
Në këtë pikë, ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë që perspektiva europiane të mos ndërlidhet me epilogun e dialogut.
“Republika e Kosovës ka pasur një qasje shumë serioze dhe konstruktive në këtë dialog. Andaj, pavarësisht epilogut të tij, Bashkimi Evropian duhet të fillojë dialogun për MSA-në me Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Nga ana e tij ministri Vestervelle, ka theksuar se nuk mund të lejohet që një shtet që i ka bërë si duhet detyrat e shtëpisë të dënohet, për shkak të hezitimit të të tjerëve.
“Me keqardhje konstatoj se deri më tani nuk ka rezultate të prekshme. Gjermania dëshiron që të ketë më në fund një përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Është me rëndësi për të dy shtetet, në veçanti për njerëzit në Kosovë dhe Serbi”, deklaroi Vestervelle referuar dialogut.
Ndërsa, Hoxhaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që ky proces të rezultojë me normalizimin e situatës në veri të Kosovës, që Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë të normalizojnë marrëdhëniet bilaterale dhe që dy shtetet e pavarura të bëjnë hapa konkret drejt BE-së.
“Ne nuk do të eksportojmë Kosovën në Bruksel, por do të ndërtojmë një Kosovë evropiane brenda Kosovës”, tha Hoxhaj, duke bërë të ditur se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret.
Ndërsa, ministri Vestervelle tha se sa i përket MSA-së për Kosovën, se Gjermania angazhohet fuqishëm që të ketë trajtim të ndershëm, duke u bazuar në kriteret evropiane.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





