Transmetuar më 16-04-2013, 15:20

Tiranë, 16 prill 2013, NOA.al- Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, deklaroi se tashmë objektivi i LSI është largimi i Sali Berishës nga qeveria dhe nxjerrja e partisë-shtet në opozitë, kundër sjelljes diktatoriale.

Ai tha se për LSI tashmë fillon projekti ku çdo votë do të hidhet kundër diktatit.

“Ky projekt do të udhëhiqet nga opozita e bashkuar, e cila do marrë në mënyrë të menjëhershme hapa konkretë. Duam të komunikojmë qartë dhe prerë që për hir të balancës në vend, në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, pushteti vendor do vendoset në kontrollin maskimal të opozitës. LSI deklaron bashkimin e votave në të gjitha këshillat vendorë me Partinë Socialiste dhe heq mbështetjen ndaj çdo të zgjedhuri vendor që ka dalë nga Partia Demokratike. Do të ketë qëndrime konkrete për parlamentin ilegjitim, meriton një kurs të ri politik në funksion të përgatitjes së zgjedhjeve të ardhshme. Është koha që opozita e bashkuar të kërkojë garanci kur mungon ligji”, deklaroi Manjani raporton noa.al.

Në këtë linjë ai nënvizoi se do kërkohet garanci shtesë për menaxhimin e procesit zgjedhor, pasi tha se nuk mund të lejohet që vota e shqiptarëve të numërohet vend e pavend.

Duke iu referuar shkarkimit të anëtarit të LSI në KQZ Ilirjan Muho, Manjani tha se tashmë nuk do të njihen balancat 4 me 3 në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por do kërkohen garanci të reja.

Duke mbyllur fjalën e tij nënkryetari i LSI tha se, “Sot janë 400 mijë shtetas pa adresë, kanë votuar tradicionalisht në qendrat e tyre të votimit dhe sot ministria nuk ka adresë të tyre. Ne nuk kemi ndërmend t’ia besojmë zgjedhjet një partie dhe një Kryeministri të papërgjegjshëm, deri në vendosjen e këtyre arsyetimeve, ne si LSI jemi gati për përshkallëzim politik dhe reagim në funksion të menaxhimit të zgjedhjeve”.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit