

Prishtinë, NOA.al/Tinka Kurti – Post-telekomi i Kosovës po u shitet fondeve jotransparente që nuk iu dihet përbërja dhe prejardhja, shkruan kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti në një letër të hapur drejtuar mediave.
“Nga një burim që nuk u identifikua, më erdhi njoftimi që në kuadër të mjeteve të ofruara e që i menaxhon AXOS kanë shumë aksione edhe kompani vendase të lidhura me politikanë të Kosovës, përfshirë këtu kompaninë ‘Zhugolli’, e cila është financuese e PDK-së, shumë e afërt me kryeministrin Thaçi, dhe fituese pothuajse e rregullt e tenderëve në KEK”, shkruan Kurti në letrën e tij dërguar në adresë të redaksive mediale.
Ai bëri një llogaritje se sa po shitet aseti gjigant i PTK-së “Qeveria e Kosovës pritet që 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës t’i shes për 277 milionë euro, minus 75% të 35 milionëve (dhe ndodhta edhe shumë më shumë se kaq siç shpjegoi Sindikata e punëtorëve të PTK-së)”, shkruan Kurti. Sipas tij, kjo shitje është gjithsesi joligjore, jolegjitime dhe shumë e dëmshme. “Shuma e tillë është ofruar prej një
fondi investiv – AXOS. Sipas shënimeve në Handelsregister (ekuivalentja e ARBK-së në Kosovë) AXOS deklaron për vete se këshillon ndërmarrje të ndryshme se ku duhet ato të investojnë. Pra, nuk po e blejnë Telekomin kompanitë e specializuara për këtë lëmi (telekomunikacion) por fonde jotransparente që nuk ju dihet përbërja e prejardhja”, shton ai më tej.
Sipas tij, kjo do të ndihmonte edhe shpëlarjen e pasurimit përmes korrupsionit. “Më tutje, ky burim më tha që përmes këtij privatizimi të Telekomit, Thaçi synon të vrasë dy zogj me një gur: të marrë pjesë në blerjen e një kompanie kaq të vlefshme e fitimprurëse si Telekomi i Kosovës për t’u pasuruar edhe më tej; dhe, të bëjë shpëlarjen e miliona eurove të fituar përmes korrupsionit në Kosovën e pasluftës”, thuhet në letrën e tij.
Ai ka kërkuar nga Kryeministri publikimin e emrave të aksionerëve që po e blejnë PTK-në. “Prandaj, kërkoj nga kryeministri Hashim Thaçi (dhe ministri i MZhE-së, Besim Beqaj) që t’i bëjë publike të gjithë pjesëmarrësit aksionerë në blerjen e TK-së e nën menaxhimin e kompaninë AXOS dhe të heq çdo dyshim lidhur me këtë informacion që mora”, ka thënë ai./t.k/o.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





