Transmetuar më 16-04-2013, 09:49

Sulmet në Boston mund të jenë të al-Kaedës, por edhe të TTP-së, grupi kryesor taleban në Pakistan, që kërkon të hakmerret ndaj sulmeve të avionëve pa pilot që shkaktojnë humbje të konsiderueshme mbi grupet talebane

Nga Claudio Accogli – ANSA

Ndërkohë që sytë e mbarë botës ishin drejtuar nga Koreja e Veriut dhe kërcënimet për një luftë bërthamore në Azi, një atentat me markë, me siguri terroriste, u rikthye për të goditur zemrën e Amerikës. Për momentin, ashtu siç edhe e sintetizoi presidenti amerikan, Barack Obama, vendi i tij nuk ka ende një përgjigje. Burime nga Shtëpia e Bardhë nuk përjashtojnë as faktin që atentati mund të jetë i markës vendase. Megjithatë, disa orë përpara atentateve në Boston, galaksia e faqeve xhihadiste të internetit kërcënonte për sulme kundër Amerikës, Francës dhe vendeve evropiane për mbështetjen ndaj ndërhyrjes ushtarake në Mali apo për përdorimin e avionëve pa pilot në Afganistan dhe Pakistan. "Atentatet e ardhshme të al-Kaedës do të jenë të fuqishme dhe tronditëse dhe do të bëhen në SHBA, Francë dhe në Evropë", është teksti i një mesazhi të publikuar në galaksinë e faqeve xhihadiste të internetit, të bëra publike disa orë më parë nga organizata që monitorojnë ekstremizmin islamik në internet. Ky njoftim u mor seriozisht edhe nga SITE, organizata kryesore që monitoron mesazhet nga kjo galaksi. "Sulmet në Boston mund të jenë të al-Kaedës, por edhe të TTP-së, grupi kryesor taleban në Pakistan, që kërkon të hakmerret ndaj sulmeve të avionëve pa pilot që shkaktojnë humbje të konsiderueshme mbi grupet talebane", tha SITE. Këtyre kërcënimeve, ditëve të kaluara, u janë shtuar edhe ato të AQIM-it, filialit afrikanoverior të al-Kaedës që ka rifilluar fatvat kundër Perëndimit dhe Francës, në veçanti, duke bekuar sulmet kamikaze për hakmarrje ndaj ndërhyrjes ushtarake në Mali. Shefi i al-Kaedës, Ayman Zawahri, në mesazhin e parë audio që nga nëntori i kaluar bëri apel për xhihad kundër "programit satanik të SHBA-së" që bekohet nga "kriminelët e mëdhenj në Uashington, Moskë dhe Tel Aviv". Zawahri festoi më vonë fitoret e xhihadistëve, të tillë si ata të Jabaht al Nusra, grupit që dyshohet se sekuestroi katër gazetarë italianë të liruar dy ditë më parë në Siri, dhe ato të al-Kaedës në Irak duke kërkuar luftëtarët të bashkoheshin në një luftë të shenjtë në Siri, madje edhe në Somali. Si përgjigje ndaj të gjithë kësaj, xhihadistët filluan sulme të përgjakshme në Mogadisho, Faluxha dhe Bagdad. Shërbime të ndryshme sekrete kishin njoftuar gjatë javëve të kaluara edhe për sulme të individëve të veçantë me bomba artizanale si edhe me autobomba kundër grumbullimeve masive të njerëzve. "Për të gjitha ata do të ketë një vend në parajsë", kishin siguruar shefat e al-Kaedës.

Shpërthime në maratonën RIP në SHBA, 3 të vdekur e shumë të plagosur

VIDEO: Shpërthime me viktima në maratonën RIP të Bostonit 

Pas shpërthimeve në Boston, gjendje alarmi edhe në New York 

FOTOT

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit