




Gjirokastër, NOA.al- Policia e Gjirokastrës arrestoi të hënën autorët e dyshuar të grabitjes së shtëpisë në fshatin Vodhinë, Dropull mëngjesin e së shtunës ku humbi jetën Pandeli Magllara, pronari i banesës që u përlesh me hajdutët.
Burime të komisariatit të Gjirokastrës i thanë noa.al se, Adrian Qopekaj, 25 vjeç dhe Dashamir Kamo, 43 vjeç, të dy nga Libohova janë vënë në pranga si të dyshuarit kryesorë të ngjarjes së rëndë që i mori jetën 76 vjeçarit.
I njëjti burim konfirmon se, i dyshuari kryesor Qopekaj është autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të kryera në zonën e Dropullit të Sipërm, si i disa kishave dhe i një magazine me vegla pune.
“Nga kontrolli në banesën dhe automjetin e tij u gjetëm një palë doreza me njolla gjaku, 12 ikona të kishave të Dropullit, 3 trapano, 1 arkë me vegla pune, 1 arkë me fishekë dhe kapsolla detonatorë,” konfirmon policia.
Vijon puna për dokumentimin e plotë me prova ligjore të ngjarjes që ndodhi mëngjesin e së shtunës, kur dy autorët hynë në banesën e familjes Magllara për të vjedhur. Të pikasur nga i zoti i shtëpisë ata u përleshën me të duke e lënë të vdekur në vend atë dhe dhunuar bashkëshorten. o.k.noa.al
Gjirokastër, 76-vjeçari vdes pas sherrit me grabitësit, plagoset gruaja
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





