Transmetuar më 14-04-2013, 10:18

Tiranë, 14 prill 2013, NOA – Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi ka bërë sot publike nismën më të re të Ministrisë që ai drejton. Bëhet fjalë për ofrimin e këshillimeve ligjore falas për qytetarët që nuk kanë mundësi financiare për të paguar avokatë.

“Është e domosdoshme që ne të hapim zyra juridike në çdo qytet dhe të informojmë qytetarët. Informimi i tyre është një hap më shumë drejt rritjes së kulturës juridike, rritjes së ndërgjegjes qytetare, rritjes së zbatimit të ligjit, konsolidimit të drejtësisë, uljes se kriminalitetit, forcimit te shtetit ligjor”, shprehet në një postim në rrjetin social Facebook, Halimi.

Ai shton se në këtë mënyrë nuk do të ketë “taksa dhe tarifa gjyqësore për grupet vulnerabël dhe nuk do të ketë taksa dhe tarifa gjyqësore për viktimat e dhunës”..

Ministri shprehet se fal kësaj nisme do të ketë “avokatë falas në çdo qytet të madh të vendit, që do të ndihmojnë falas të gjithë qytetarët që nuk kanë mundësi të kenë një avokat. 6 klinika ligjore që do të ndihmojnë qytetarët që të informohen mbi të drejtat te tyre”.

Halimi shton se është e domosdoshme hapja e zyrave juridike në çdo qytet për të mundësuar informimin e qytetarëve. “Çdo qytetar ka nevojë të informohet mbi legjislacionin, të kuptoje atë dhe të ndihmohet. Por jo të gjithë kanë mundësi për të patur një avokat, jo të gjithe kanë mundësi të këshillohen prej një avokati. Jo të gjithë kanë mundësi të paguajnë tarifat për një avokat apo tarifat gjyqësore”, shprehet ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit