Transmetuar më 13-04-2013, 15:12

Shkup, NOA.al /Naser Pajaziti – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni mbrëmë i ka dhënë fund shqyrtimit të ankesave të partive politike për balotazhin e zgjedhjeve lokale të 7 prillit.

Mbrëmë janë hedhur poshtë 252 ankesat e bëra nga partia opozitare maqedonase LSDM, për parregullsi në 15 komuna.

Ndërsa gjatë seancës maratonë gjatë dy ditëve janë refuzuar edhe mbi 100 ankesa të VMRO-DPMNE, 16 ankesa të RDK për Gostivarin, 4 të BDI-së për Studeniçanin si dhe 2 ankesa të PDSH-së për komunat Çair dhe Vrapçishtë.

Komisioni pranoi vetëm dy ankesa të VMRO-DPMNE për Strugën, mirëpo votat e këtyre vendvotimeve nuk ndikojnë në rezultatin e përgjithshëm të kandidatit shqiptar Zijadin Sela, prandaj nuk do të ketë rivotime dhe do të shpallet fitorja e kandidatit Sela, për shkak të diferencës prej 5 mijë votash kundrejt kandidatit maqedonas.

Pas vendimit të KSHZ-së, partitë kanë të drejtën e kallëzimeve penale në Gjykatën Administrative, e cila në afat prej 48 orëve duhet të jap vendimet. n.p/o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit