Transmetuar më 13-04-2013, 11:52

Tiranë, 13 prill 2013, NOA – Ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wollfarth ka komentuar sot për mediat debatin mes forcave kryesore politike, për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Kushtetuta përbën bazën dhe pastaj vijnë ligjet dhe çdo gjë duhet bërë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, pastaj çdo gjë bëhet më e lehtë.  Por, është e rëndësishme që për zgjedhjet që do zhvillohen të mbahet mend sovraniteti dhe njerëzit janë ata që vendosin për votën”, tha Wollfarth.

Deklarata e ambasadorit të OSBE u bë gjatë vëzhgimit të provës për numërimin elektronik të votave, që u zhvillua sot në shkollën “Hasan Prishtina” në Tiranë. “Është e rëndësishme të ketë punë apolitike nga KQZ dhe kjo që po shoh këtu tregon se po bëhet punë e mirë dhe kjo është e rëndësishme”, tha ambasadori Wollfarth.

Lidhur me futjen e teknologjisë në zgjedhjet, Wollfarth u shpreh se procesi duhet të ndiqet hap pas hapi. “Testimi do vazhdojë dhe më pas gjatë gjithë ditës dhe kjo është në përgatitje solide e KQZ për të pasur zgjedhje sa më të mira. Kam përshtypje të mirë për atë që po zhvillohet sot këtu dhe besoj se do rrisë besimin e publikut në këtë proces zgjedhor. Shoh që po bëhet një punë e mirë dhe profesionale nga KQZ dhe të gjithë ata që janë të pranishëm këtu”, tha Wollfarth.

a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit