Transmetuar më 12-04-2013, 13:23

Tiranë, NOA.al- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, reagoi ashpër lidhur me vendimin e Komisionit të Ligjeve për heqjen e mandatit të anëtarit të Lëvizjeve Socialiste për Integrim, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ai përshëndeti qëndrimin e ndërkombëtarëve për këtë problem, ndërsa tha se Kryeministri Sali Berisha po përpiqet të marrë kontrollin e KQZ, duke shtuar se po rrezikon të mbetet pa asnjë aleat serioz njëlloj si në vitin 1997.

“Në panikun e kësaj vetmie, Berisha po nisë të shkatërrojë institucionin e administrimit të zgjedhjeve që turpëron atë dhe çdo deputet që do ta ndjekë. Kryeministri në ikje po e përjeton keq verën e vetmisë së madhe. Kjo marrëzi e dhunshme nuk e komprometon fitoren e koalicionit tonë. Largimi i tij nga pushteti është i pashmangshëm. Kjo dhunë ndaj institucioneve komprometon rrugën e Shqipërisë drejt Evropës. Deklaratat e ndërkombëtarëve dhe të politikës janë thirrje që një marrëzi e tillë të mos ndodhë”, deklaroi Rama, citon noa.al.

Në vijim ai tha që kreu i mazhornacës nuk duhet ti faturojë Shqipërisë koston e mos realizmit të zgjedhjeve me standarde, pasi nisma për heqjen e anëtarit të KQZ është haptazi e paligjshme.

Shefi i opozitës nënvizoi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e njëanshme e Kodit Zgjedhor, duke theksuar se opozita nuk do të bëhet pjesë e asnjë marrëveshjeje.

Po ashtu ai tha se në asnjë rast dhe për asnjë arsye Partia Socialiste nuk do të hyjë në diskutime për ndryshime në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ndër të tjera kreu i selisë rozë apeloi Kryeministrin që të ndalet këtu dhe të mos shkojë më tej, pasi në këtë mënyrë do i bënte shërbim vendit dhe zgjedhësve.

Rama deklaroi në këtë linjë se, “Rrotacioni paqësor padyshim do të bënte që Kryeministri në ikje të ketë një arsye për tu penduar për mënyrën se si ndenji në atë zyrë sepse është i damkosur me vulën e dështimit. Thirrjet e partnerëve janë të forta, të troçta dhe të drejtpërdrejta, sa asnjëherë më parë nuk ka qenë ulëritës fakti se shkelja vjen nga pala në pushtet”.

Ai tha se KQZ është institucion i pavarur nga partitë, dhe çka është e rëndësishme të theksohet është fakti se KQZ nuk ka varësi nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi nuk ka asnjë të drejtë mbi KQZ, duke theksuar se KQZ është e pavarur nga partitë dhe Kuvendi dhe se asnjë forca politike nuk ka të drejtë të ndërhyjë në përbërjen dhe punën e tij.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit