

Për çudi, ne shqiptarët kemi vuajtur shumë, por nuk mësuam të njohim veten. Njohja e vërtetë duhej të kishte nisur kur ishim të gjithë të zënë robër brenda kalasë komuniste. Dhe aq më shumë duhej të ishte përsosur në këto 20 vjet shumë të vështira, por të mjaftueshme për të krijuar formën dhe modelin e asaj që ëndërrojmë: personalitetin.
Nga Elsa Ballauri
Sikur jemi mësuar shumë me “çuditë” politike. Nuk na bëjnë më përshtypje, madje njerëzit kanë filluar të “argëtohen” edhe për të kaluar kohën. Megjithatë, pas kësaj qetësie mbizotëron gjithmonë e më shumë pasiguria dhe frika për të ardhmen. Sepse ajo që e bën të veçantë Shqipërinë në këto lloj ngjarjesh, qofshin abuzive, të shëmtuara apo me moral të diskutueshëm, është se janë mbizotëruese, pushtojnë totalisht jetën sociale, politike e psikologjike, drejtojnë të përditshmen e qytetareve, dhe akoma më keq, këto “çudira” udhëhiqen nga “elitat” e vendit, nga ata që janë betuar për ta bërë Shqipërinë të zhvilluar dhe europiane, dhe shqiptarët të lumtur.
Nuk dua të merrem me këtë ekuacion të vështirë për të gjetur “PËRSE-”të sepse zgjidhjet komplikohen dhe të lënë në baltë. Por një nga ato zgjidhje që mendoj se duhet vlerësuar është të njohësh veten dhe qetësisht e thellësisht të merresh me këtë analizë. “NJIH VETEN” – tha Sokrati, dhe më pas grekët e mençur e bënë këtë frazë të pavdekshme duke e gdhendur në ballinën e Tempullit të Delfit (ndoshta me shpresën se një ditë do mund ta shohim edhe ne…). Të njohësh veten të duhet një ÇFARË dhe një SI. Këto mundësi i kemi përditë: ÇFARË-t janë rrotull nesh, janë problemet e shumta që kemi, është ushqimi, zgjimi dhe ëndrrat, është politika, marrëdhënia me njëri-tjetrin, dashuria dhe vdekja. Është jeta jonë që pas kësaj të vë në një provë më të madhe. SI? Si, pra, do t’i zgjidhim këto probleme, si do të merremi vesh që punët të shkojnë sa më mirë, që në vend të nyjës që ngatërrojmë dhe lidhim çdo ditë e më egër për t’u varur, të përpiqemi të shohim me optimizëm përpara? Guximi për të njohur veten kërkon shumë modesti (pak e pakapshme për ne shqiptarët, thënia e Sokratit “Mençuria më e madhe është të dish se nuk di asgjë”), kërkon edhe qetësi, urtësi, largpamësi, mungesë zemërimi, pozitivitet. Për fat të keq asgjë nuk bëhet me leksione. “Urtësia fillon me çudinë” – tha Sokrati, por shqiptarët nuk u çuditën as në komunizëm, as në demokraci dhe… as pretendojnë të çuditen që më pas të njohin veten… Në këtë situatë edhe qesharake, edhe të vështirë politike e mendore, menjëherë pas bashkimit PS-LSI filluan bisedat kokë më kokë nëpër kafene dhe studio televizive, diskutohen gëzime fitoresh dhe mjerim humbësish, flitet me pasion se si do lëvizin gurët e shahut apo lojtarët e fushës së futbollit. Numërohen vota pa dijeninë dhe dëshirat e votuesve – një lojë numrash virtuale shumë larg konvertimit të tyre me vullnete qytetarësh. Nën këtë ndjesi situate të pamoralshme politike kam përpara tri dilema, të cilat shkojnë konform me idenë dhe bindjen time të mungesës së aftësisë për të njohur veten. Po populli? Populli është pothuajse abstrakt, ai qëndron në një qoshe, dëgjon slogane të pafundme në emër të vet. Partitë bashkohen dhe ndahen në emër të tij, udhëheqësit zihen dhe pajtohen në emër të tij, por populli nuk është. Midis klasës së shëmtuar politike shqiptare dhe popullit pa gojë është një humnerë e madhe. E çuditshme është se sa ngjason pamja me skenat e viteve të ndërtimit të socializmit, ku partia në ballë dhe populli në bisht ngrinin teorinë e dashurisë së madhe që ishte një gënjeshtër dhe hipokrizi e madhe. Popullit asnjëherë nuk iu dha mundësia të njihte veten dhe vetja e një populli njihet nëpërmjet vuajtjeve. Për çudi, ne shqiptarët kemi vuajtur shumë, por nuk mësuam të njohim veten. Njohja e vërtetë duhej të kishte nisur kur ishim të gjithë të zënë robër brenda kalasë komuniste. Dhe aq më shumë duhej të ishte përsosur në këto 20 vjet shumë të vështira, por të mjaftueshme për të krijuar formën dhe modelin e asaj që ëndërrojmë: personalitetin. Udhëheqjet, si dje, si sot, qëndrojnë në anën tjetër të humnerës, bëjnë jetën e tyre, mendojnë dhe stërmendojnë se si të rrëmbejnë sa më shumë të mira, i gënjen mendja se do të kenë shumë jetë, iu duket vetja se janë mbinjerëz, grumbullojnë para të pamerituara për shtatë breza etj. Pazaret politike shqiptare janë kaq të turpshme, sa qytetarët e ndiejnë veten keq të prezantohen me udhëheqësit që kanë. Këtej humnerës, populli e ka kuptuar mirë këtë lloj filozofie, por i pamësuar të rrezikojë rrëshqitjen, s’guxon të afrohet. Ah, ka edhe një grup tjetër, një popull tjetër që në shumë vende të botës ka ndryshuar dhe zbukuruar historinë, dhe kjo është shoqëria civile. Por, për fat të keq, tani për tani nuk ndodh dot ndonjë zbukurim i tillë në Shqipëri. Megjithatë, unë shpresoj se një ditë do të ndodhë kjo mrekulli: që shoqëria civile ta ndryshojë historinë pa rënë në humnerë. Morali politik? Veprimet e fundit të partive socialiste kanë zhdukur përfundimisht shpresën se në pamundësi të politikës ekselente, të paktën të shkonim në nivelin mesatar. Nuk më çudit aspak rilidhja e dy partive të majta. Mirë do të ishte madje që ato të kishin qëndruar të pazgjidhura. Por ajo që po çorodit inteligjencën e shqiptarëve është transmetimi i amoralitetit politik nëpërmjet strategjisë së moralitetit. Kam përshtypjen se politikanët tanë nuk ndiejnë asnjë tronditje ndërgjegjeje sepse veprojnë nën një slogan shumë të çuditshëm që e kanë hedhur prej kohësh në qarkullim dhe e shfrytëzojnë gjithmonë si karrem të suksesshëm: “Politika s’ka moral” – thuhet nëpër mëngjeset te Blloku dhe midis kafeve të shkurtra, “politika s’ka moral” – përhapet me shpejtësi marramendëse nëpër Shqipëri brenda javës. Kush e thotë këtë? Natyrisht, ata që përfitojnë paturpësisht nga lojërat me shitblerje parimesh. Por, nga ana tjetër, kemi një popull të tërë që e ka gëlltitur karremin dhe përsërit njëzëri këtë slogan: “Politika s’ka Moral”. Komunizmi jetoi për 50 vjet me sloganin “Këtë kokë kanë, këtë feste të mbajnë”… dhe e përsosi mostrën që polli. Megjithëse ka shumë shqiptarë të mençur, sidomos ata që shprehin mendimin e tyre nëpër rrjete sociale, ende investimi i tyre është i pamjaftueshëm. Morali i pamoralshëm i politikës i ka lënë njerëzit pa sindikata, një nga organizimet më të fuqishme që ka përmirësuar sistemet në shumë vende demokratike. Megjithëse në një demokraci me probleme, nuk është bërë asnjë lëvizje e fuqishme për të ndërtuar sindikata të pavarura. Në këtë rast slogani i kokës dhe festes është përshtatur. Mungesa e sindikatave të punëtorëve e nëpunësve, gati-gati është zëvendësuar me blogjet e internetit, duke dalë krejtësisht jashtë strukturës së suksesshme të grupimeve sindikaliste. Ky lloj reagimi ka vlerë spontane të pakonfirmuar. Injorimi dhe lufta ndaj sindikatave, mungesa e vullnetit të politikanëve për to, mungesa e forcës aktive sindikaliste, ka krijuar idenë e popullit politik, të atyre që s’kanë rrugëdalje tjetër përveçse të shkojnë me njërën parti, ose me tjetrën. Edhe kjo është një nga mësimet e “vyera” që u trashëgua nga komunizmi. Dhe përsëri mungesa e njohjes së vetes, që shkon krahas mungesës së njohjes së mundësive dhe forcës që ke, na bën ne të drejtojmë me gojën hapur vështrimin nga politika, të paaftë të kuptojmë se filozofia e antimoralit na ka futur të gjithëve në rolin e memecit. …Me sa duket, për këtë arsye, asnjë nga partitë nuk ka vënë në programin e vet ndërtimin e modelit të moralshëm politik. Zoti na mbroftë! Historia në muze? Nuk mendoj se argumenti i liderit të LSI-së për t’ua lënë të kaluarën e këtyre dy viteve të fundit historianëve dhe arkeologëve, ishte një ide e mirë. Ilir Meta u nxitua sepse më shumë se sa mbrojti veten dhe socialistët e tjerë, ai ofendoi njerëzit dhe e shtyu popullin edhe një herë më matanë, në anën tjetër të humnerës. Një nga treguesit e paaftësisë sonë për të njohur veten është mënyra se si i largohemi me panik dhe frikë problemit. I jemi larguar me të katra traumës së gjatë të komunizmit. Ne jemi popull që jemi rrahur që në fëmijëri, dhe rrahur shumë keq. Sipas të gjitha eksperiencave psikanaliste, një fëmijë i dhunuar gjatë fëmijërisë së tij kthehet lehtësisht në vrasës, apo në të sëmurë, apo në të çmendur. Kthimi, sado në dukje normal, ka nevojë për shërim. Por ne nuk e pranojmë dhunën e fëmijërisë dhe, si rezultat, nuk pranojmë se jemi të sëmurë dhe se duhet të shërohemi. Mungesa e një historie diktature që nuk u rrëfye asnjëherë ashtu siç duhet, që vazhdon të mbahet e fshehtë në subkoshiencën tonë, ka pasur shumë pasoja dhe do të vazhdojë të gjenerojë të tjera. Me deklaratën e liderit të LSI-së, tashmë opozita është dukshëm dhe totalisht flamurtar i filozofisë së harresës dhe zyrtarisht i kërkon popullit të mos merret me të kaluarën dhe ta konsiderojë atë një element interesant vetëm për studime shkencore, historike dhe arkeologjike. Pavarësisht sa shumë shqiptarëve u vjen keq për këtë deklaratë apo sa të tjerë e ndiejnë veten të pavlerësuar dhe të ofenduar, z. Meta në këtë rast ka vërtetuar edhe një herë, me ose pa dashje, se ka të bëjë me një popull që nuk e njeh veten, që nuk denjon ta njohë dhe që as do t’ia dijë për këtë lloj teorie sokratiane.
(Panorama)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





