Transmetuar më 11-04-2013, 14:21

Droga e sekuestruar

Shkup, 11 prill 2013, NOA.al/Naser Pajaziti- Autoritetet doganore të Maqedonisë mbrëmë në vendkalimin kufitar Tabanoc me Serbinë kanë ndaluar një shtetas shqiptar me 13 kilogramë drogë të llojit marijuanë.

Drejtori i Doganës, Vanço Kargov theksoi sot se droga u gjet në makinën e tipit Toyota Rav 4 me tabela shqiptare.

“Pas dyshimeve paraprake dhe kontrollit të detajuar të makinës, në pjesën e gomës rezervë si dhe në dyert e prapme është gjetur droga e paketuar në sasi më të vogla. Destinacioni final i drogës ka qenë Budapesti dhe tregu evropian”, theksoi drejtori Kargov, raporton gazetari i noa.al në Maqedoni.

Vlera e drogës së konfiskuar në tregun e zi euro-perëndimor vlerësohet deri në 60 mijë euro.  Drejtori i Doganave të Maqedonisë theksoi se nga fillimi i vitit janë zbuluar 530 kilogramë drogë në 13 raste nëpër pikat kufitare.n.p/a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit