

Tiranë, 11 prill 2013, NOA.al- I ka dhënë fund jetës në rrethana të dyshimta një polic privat, në ambientet e komisariatit nr.3 në kryeqytet.
Sipas të dhënave paraprake siç raporton noa.al, viktima u identifikua si 57 vjeçari Ndue Kolci, i cili nga verifikimet rezultoi punonjës në një polici private.
Mësohet se Kolthi ishte shoqëruar nga policia në komisariat, ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm u gjet nga punonjësit e turnit të komisariatit i vetëvarur me rripin e tij të pantallonave.
Nuk dihen ende rrethanat e kësaj ngjarje, ndërsa kanë nisur hetimet intensive.
Mësohet se shërbimet e policisë së këtij komisariati, pas marrjes së një informacioni se në qendër të Laprakës, gjendej i shtrirë dhe i gjakosur një person, një patrullë e policisë e ka transportuar në spital dhe më tej në komisariat.
I ndaluari ishte në gjendje të dehur dhe me vete i’u gjet një pistoletë, ku pas verifikimeve rezultoi se ishte lodër.
Shoqërimi u krye, me qëllim verifikimet e mëtejshme nëse ky shtetas, ishte i dënuar nga një vepër penale apo autor i saj.
Përgjatë qëndrimit në ambientet e pritjes në komisariat, nga oficeri i policisë, janë kryer procedurat standarde të mbikqyrjes së tij, por nga ana e policisë theksohet se në këto ambiente, lejohet që një shtetas të mbajë sende personale si, celular, syza, orë, unaza, lidhëset e këpucëve, rripi i pantallonave etj, heqja e të cilave nga policia do të përbënte shkelje të lirive dhe të drejta të njeriut.
Viktima dyshohet se, është vetëvarur duke përdorur rripin e pantallonave në ambientet e pritjes së komisariatit. a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





