Transmetuar më 10-04-2013, 18:17

Tiranë, 10 prill 2013, NOA.al- (Update) 34 persona ranë në prangat e policisë në kuadër të operacionit të koduar  “Sotto traccia- AL”, si pjesë e një organizate kriminale, që merrej kryesisht me “Trafikimin në sasi të mëdha të lëndëve narkotike të llojit Kokainë dhe Heroinë”, “Favorizim dhe shfrytëzim të prostitucionit”, “Favorizimi dhe qëndrim i të huajve klandestin në vendet e BE-së”.

Drejtori i Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtues i Parë Edmond Rizaj dhe Drejtuesi i Prokurorisë për Krime të Rënda, Eugen Beci bënë me dije se nisja e hetimeve ka nisur nga policia italiane duke zgjatur për disa vite në shtete të ndryshme të Bashkimit Europian.

Si rezultat i hetimeve siç raporton noa.al u zhvillua operacioni për kapjen dhe arrestimin e personave të implikuar në këtë veprimtari, që u shtri në disa qytete të Shqipërisë dhe konkretisht në arrestimin e tetë personave.

Të ndaluarit u identifikuan si Sokol Tafani 39 vjeç, banues në Belsh, Elbasan; Besnik Lleshi 33 vjeç, banues në Librazhd; Festim Hoxha 37 vjeç, banues në Librazhd; Tigert Allko 37 vjeç, banues në Librazhd; Rezart Tirana i njohur ndryshe si Julian Jaho – Rezart Jaho, 27 vjeç, banues në Elbasan; Brunild Ramaj 27 vjeç, banues në Vlorë; Altin Poda i njohur ndryshe si Rinor Hajdaraj 27 vjeç, banues në Tiranë.

Krahas tyre u arrestua në flagrancë 34 vjeçari nga Durrësi Bledar Shabani, të cilit iu gjet në banesë një sasi prej rreth 2.9 gram lëndë e dyshuar narkotike marijuanë.

Veprimet për finalizimin e operacionit ndërkombëtar “Sotto Traccia”, janë koordinuar nga EuroJust, i cili ka realizuar bashkëpunimin e koordinimin e veprimeve njëkohësisht edhe në 5 shtete të tjera  Itali – Belgjikë – Francë – Holandë dhe Zvicër. Në total numri i të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni është 34, nga të cilët 10 persona në Itali, 1 në Belgjikë, 1 në Francë, 1 në Holandë dhe 3 në Zvicër.

Lidhur me këtë rast Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda ka grumbulluar materialet dhe po zhvillohen hetimet pasurore për të gjithë personat e implikuar në këtë veprimtari kriminale.a.y/noa.al

Shkatërrohet rrjeti i trafikantëve të drogës, arrestohen 34 vetë

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit