

Shkup, 10 prill 2013, NOA.al/Naser Pajaziti – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) ka theksuar se do të mbetet subjekt aktiv politik në skenën politike shqiptare në Maqedoni, edhe pse nuk arriti që të fitojë në asnjë nga komunat e vendit në zgjedhjet lokale.
Lideri i kësaj partie, Rufi Osmani ka bërë të ditur se do të vazhdoj aktivitetin politik, duke përgënjeshtruar zërat për tërheqjen e tij nga skena politike.
“Në këtë situatë unë jam i obliguar të respektoj vullnetin e mbi 35 mijë votuesve të RDK-së të cilët në mënyrën eksplicite kërkojnë vazhdimin tim dhe vazhdimin e prof. Izet Zeqirit si bartës të aktivitetit politik në RDK”, deklaroi Osmani, duke shtuar se RDK ka dëshmuar konstruktivitetin e saj kombëtar dhe opozitar, si në rastin e Kërçovës ashtu edhe në rastin e Strugës.
Në konferencën e kësaj partie siç raporton gazetari i noa.al në Shkup, u fol edhe për humbjen e saj në Gostivar, duke fajësuar me këtë rast BDI për korrupsion dhe blerje votash, por edhe akuza në adresë të PDSH-së.
“Fitorja hileqare e kandidatit të BDI-së në Gostivar është fitore e turpit politik dhe kriminalizimit të skajshëm të procesit zgjedhor, duke shkelur vullnetin e popullit shumicë shqiptar dhe duke krijuar precedent të rëndë të shkeljes së demokracisë në nivele të paparë deri më tash. Fatkeqësisht, edhe këto zgjedhje dëshmuan se shkaku i vetëm i përçarjes dhe humbjes së opozitës shqiptare në Maqedoni dhe fitores së BDI-së është kreu i PDSH-së dhe politika e tij destruktive, duke qenë më i interesuar që të dëmtohet RDK-ja se sa të fitojë PDSH-ja. Ky person, i cili vazhdon të jetë kanceri politik i skenës politike shqiptare, tashmë e ka dëshmuar se nuk lufton për fitoren e partisë së tij, por për mbijetesën e tij politike”, theksoi shefi i shtabit zgjedhor të RDK-së, Artan Dika.
RDK është partia e tretë parlamentare në Maqedoni, e cila ka dy deputetë dhe deri tani lideri i saj Rufi Osmani ka udhëhequr komunën e Gostivarit.n.p/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





