Transmetuar më 10-04-2013, 12:38

Tiranë, NOA.al- Komisioni i Jashtëm u përfshi sërish sot në debate gjatë diskutimit të rezolutës për çështjen çame, sjellë në komision nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Deputeti  Fatos Beja, kryetari i komisionit propozoi për rishikim rezolutën çame të vitit 2004, që sipas tij nuk ka marrë votat e duhura për miratim në Parlament, por që mbetet ende pasi rrëzimi i saj nuk është regjistruar në fletoren zyrtare.

Kjo ka shkaktuar reagimin e kryetarit të PDIU, Shpëtim Idrizi i cili është shprehur i befasuar kur u njoh me propozimin e rezolutës së vitit 2004. “Rezoluta e 2004 në procesverbal del sikur nuk është miratuar. Ne dimë që kjo rezolutë është rrëzuar në atë vit. Po të ishte miratuar do të dilte në fletoren zyrtare", sqaroi Idrizi.

Por kryetari i komisionit këmbënguli duke thënë se “nuk duhet bërë një rivotim për projektrezolutën, por një rregullim në procesverbal. Një gjë e tillë është votuar një herë, nuk votohet për së dyti”.

Ndërsa Dashamir Tahiri i PDIU-së fajësoi kreun e Parlamentit të asaj kohe, Servet Pëllumbin. “Pëllumbi duhet t’i paraqitet drejtësisë ka falsifikuar dokumente”, tha ai.

Në komision është diskutuar sot edhe projektrezoluta e propozuar nga Partia Socialiste, e cili sipas Idrizit duhet të unifikohet me propozimin e tyre, pasi është pozitive. “Duhet një projektrezolutë konsensuale dhe e përbashkët,” tha Shpëtim Idrizi

Votimi i rezolutës çame në Kuvend është vendosur si kusht nga PDIU për përfshirjen e saj në aleancat parazgjedhore. Rezoluta e depozituar në Kuvend në dhjetor 2012, ndër të tjera "njeh, mbështet dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve". o.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit