Transmetuar më 09-04-2013, 20:19

Shkup/Nju Jork, 9 prill 2013, NOA.al/Naser Pajaziti – Ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç ka dhënë propozime konkrete lidhur me gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë.

Nimiç propozimet i`a ka komunikuar palëve negociatore të Shkupit dhe Athinës, në kuadër të një raundi të ri të negociatave që u zhvillua për dy ditë në Nju Jork.

“Ne kemi biseduar për propozime konkrete dhe se pres që dyja palët t`i përcjellin këto propozime pranë Qeverive të tyre”, theksoi Nimiç në konferencën e përbashkët me negociatorin maqedonas, diplomatin Zoran Jolevski dhe negociatorin grek Adamantios Vasilakis.

Sipas Nimiç, idetë dhe propozimet e shpalosura paraqesin janë risi në tryezën e negociatave dhe se ai tha se shpreson se dyja palët do të gjejnë elemente pozitive.

Ndërmjetësi i OKB-së siç raporton gazetari i noa.al në Shkup, informoi se ky raund i bisedimeve është ndjekur nga afër edhe nga nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së, Xhefri Feldsman, i cili ka qenë i pranishëm në negociata dhe ka përcjellë porosinë e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së se ka interes të jashtëzakonshëm për të gjetur zgjidhje rreth këtij kontesti disavjeçar.

“Gjatë bisedimeve na vizitoi edhe nënsekretari Feldsman, dhe ai me këtë rast ka shprehur qëndrimin dhe pikëpamjen e tij, por ai siguroi palët se edhe sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon personalisht është i interesuar për këtë çështje”, tha Nimiç, duke shtuar se takimi i radhës midis palëve negociatore pritet të jetë pas dy muajve, pa saktësuar se a do të mbahet në Nju Jork, Shkup, Athinë apo në ndonjë vend tjetër në Europë. Pala greke jozyrtarisht ka informuar  se takimi i radhës pritet të mbahet gjatë muajit maj në Bruksel.n.p/a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit