

Londër, 9 prill 2013, NOA.al- Në vijim të vizitës së tij në Londër Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj , është pritur sot nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, William Hague.
Hoxhaj e ka falënderuar sekretarin Hague për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Republikës së Kosovës në pesë vjetët e shtetndërtimit të brendshëm dhe konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar.
Në vijim ministri Hoxhaj ka kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar në aspiratën e popullit të Kosovës për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike.
“Pas pesë vjetorit të pavarësisë së Kosovës, të vetmen aspiratën që ka populli i Kosovës është agjenda evropiane. Në këtë fazë, përshpejtimi i nënshkrimit të MSA-së dhe liberalizimi i vizave, do të ishte një mirënjohje për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkan që iu ka mohuar kjo e drejtë”, deklaroi Hoxhaj, duke shtuar se Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha prioritetet afat-shkurta të parapara në studimin e fizibilitetit.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka njoftuar homologun e tij për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “Dialogu gjendet në fazë kritike dhe për këtë përgjegjës është Beogradi, i cili është duke devijuar nga procesi i dialogut, duke bërë shtyrje të paarsyeshme, si dhe duke blerë kohë. Serbia ka komplikuar tërë procesin”.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





