

Prishtinë 8 Prill 2013 NOA.al/Tinka Kurti – Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, e cila po ndihmonte në procesin e quajtur normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka shprehur keqardhje për vendimin e qeverisë serbe e cila nuk pranoi marrëveshjen e ofruar nga Brukseli për nënshkrim.
Ajo i ka bërë thirrje edhe një herë kësaj qeverie, që të bëjë edhe një përpjekje të fundit për të arritur marrëveshjen, në të mirë të qytetarëve.
“Shpresoj se Kosova dhe Serbia nuk do ta humbin këtë shans, për ta lënë të kaluarën prapa tyre dhe për të lëvizur përpara drejt së ardhmes”, ka thënë baronesha Ashton.
Ajo ka thënë se shpreson se ky proces do të vazhdojë. “Unë besoj në një të ardhme të ndritur për Serbinë dhe Kosovën dhe e di se sado i vështirë të ketë qenë ky sukses, ai ka hapur mundësitë për qytetarët – veçanërisht në veriun e Kosovës – të kenë një jetë më të mirë”, ka thënë Ashton.
Qeveria e Serbisë me një vendim unanim ka vendosur të mos e pranojë marrëveshjen e ofruar nga Brukseli/t.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





