Transmetuar më 08-04-2013, 20:15

Tiranë, 8 prill 2013, NOA.al- Ndarja nga jeta e ish-Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher, ka bërë që Kryeministri Sali Berisha të shpreh hidhërimin e tij për vdekjen e saj.

Në një mesazh të tij kreu i qeverisë shprehet se, “Lajmi i ndarjes nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher më  pikëlloi thellë. Me vdekjen e Lady Thatcher, Britania e Madhe dhe bota perëndimore humbën një nga personalitetet politike udhëheqëse, më të shquara, të të gjitha kohërave. Me ndarjen e saj nga jeta, Mbretëria e Bashkuar humbi “Zonjën e hekurt”, legjendë e gjallë e vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj saj, reformatoren e madhe që ngriti në zenit ekonominë, potencialin e gjithanshëm dhe emrin e madh të vendit të saj. Për kombe të tjera, ish Kryeministrja Thatcher ishte simboli i pathyeshëm  i luftës kundër komunizmit, avokate e pamposhtur e lirisë, vlerave të saj dhe paqes në botë”.

Në këtë linjë siç raporton noa.al ai shprehet se shqiptarët sot kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë.

Berisha kujton edhe takimin e parë me ish- Kryeministren Thatcher, në Blackpool, kohë kur ai kishte vetëm 3-4 muaj në politikë, ku ndalet edhe në fjalët e saj, “Pas përshëndetjes e nisi bisedën duke me pyetur me fjalët më të para: Më thuaj si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç. Duke u përulur me nderimin më të madh, para kujtimit të ndritur të Lady Thatcher, i shpreh në emër të qeverisë shqiptare, familjes, qeverisë dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella dhe lutem së bashku me ta që shpirti i ish Kryeministres Thatcher të gjejë paqen e merituar.”a.y/noa.al

Britania në zi për “Zonjën e Hekurt”, ndahet nga jeta Margaret Thatcher

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit