

Prishtinë 8 prill 2013, NOA.al/Tinka Kurti- Qeveria e Serbisë ka vendosur të mos e nënshkruajë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Vendimi është marrë unanimisht pas shume takimesh që kishin zhvilluar krerët serbë.
“Qeveria e Serbisë nuk do të pranojë një marrëveshje të tillë që nuk siguron liritë dhe të drejtat e njeriut. Nuk është e zbatueshme në terren prandaj nuk është një zgjidhje afatgjatë”, ka thënë kryeministri serb Ivica Daçiç, raporton gazetarja e noa.al në Prishtinë.
Arsyeja tjetër e dhënë në refuzimin e kësaj marrëveshje ka të bëjë me asociacionin e komunave me shumicë serbe të ketë fuqi ekzekutive, gjë e cila nuk ishte paraparë në marrëveshje. Në këtë kuadër pala serbe ka kërkuar vazhdimin e dialogut me Kosovën.
“Duam të gjejmë zgjidhjen e problemit sa më parë të jetë e mundur, sepse nuk kemi kohë për taktizime. Datën do të na japin në qershor ose shtator, por (ajo që dihet është se) do të na e japin datën”, ka thënë Aleksandër Vuçiç, zëvendëskryeministër dhe kryetar i Partisë Përparimtare të Serbisë, pas takimit të kryesisë së partisë.
Partia të cilën e kryeson Vuçiç e kishte rekomanduar qeverinë serbe të mos e nënshkruajë këtë marrëveshje.
Zyrtarë nga Brukseli ndërkaq nuk kanë dhënë një qëndrim zyrtar deri më tani lidhur me mos arritjen e kësaj marrëveshjeje.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





