

Tiranë, 8 prill 2013, NOA.al- Pas akuzave të vazhdueshme të opozitës socialiste ndaj uniformave blu, Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht duke u bërë thirrje subjekteve politike, në mënyrë të veçantë Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama, që të ndalë këto sulme politike, duke i cilësuar si të parat të këtij lloji në mbi 20 vite demokraci, ndaj strukturave dhe punonjësve të policisë.
Policia e Shtetit sqaron se qytetarët shqiptarë janë të vetëdijshëm se niveli i krimeve të rënda ka rënë ndjeshëm që nga viti 2005 e në vijim, ashtu si numri i vjedhjeve dhe krimeve të tjera.
Ndër të tjera siç raporton noa.al thuhet se Policia e Shtetit tashmë është e depolitizuar dhe këtë e ka dëshmuar me qëndrimin e saj gjatë proceseve zgjedhore, duke marrë dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve për korrektësinë e zbatimit të ligjit nga ana e të gjithë punonjësve të saj.
“Policia e Shtetit është në shërbim të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe i bëjmë thirrje subjekteve politike, që të ndalin fushatat e ndërmarra kundër Policisë së Shtetit dhe pjesëtarëve të saj. Akuzat politike ndaj Policisë, nga kushdo spektër politik, vënë në pikëpyetje respektin ndaj tyre, por edhe respektin ndaj ligjit dhe shtetit ligjor. Respekti ndaj ligjit nuk duhet të jetë asnjëherë pjesë e taktikave elektorale. Kjo sjellje dëmton mundësinë dhe aftësinë e policisë që të luftojnë krimin dhe sjell përfitime vetëm për agjendat politike”, thuhet në qëndrimin e Policisë së Shtetita.y/noa.al
Rama: Policia dhe operacionet e saj të shitura, policët me mesatare 5
Rama: Do zhdukim nga territori “lulen kombëtare” që ka zaptuar vendin
DEKLARATA E PLOTË E POLICISË SË SHTETIT
Duke marrë shkas nga disa sulme dhe trillime të vazhdueshme ndaj Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, i bën thirrje subjekteve politike, në mënyrë të veçantë subjektit Partia Socialiste, që të ndalin këto sulme politike, të parat të këtij lloji në mbi 20 vite demokraci, ndaj strukturave dhe punonjësve të saj.
Policia e Shtetit falë trajnimeve të vazhdueshme, eksperiencës së përftuar në vite, ndihmës dhe asistencës së pakursyer të qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtar, tashmë është shndërruar në një shërbim profesional dhe efikas, duke arritur një performancë të shkëlqyer në shërbim të qytetarëve, me arritje dhe progres në luftën kundër krimit dhe garantimit të rendit e të sigurisë publike, fakt ky i konfirmuar dhe në raportet e organizatave dhe agjencive prestigjioze ndërkombëtare në fushën e zbatimit të ligjit dhe më gjerë.
Intensifikimi i masave kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, forcimi i masave për të garantuar rendin e sigurinë publike, bashkëpunimi në nivelet më të larta me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit në Europë dhe më gjerë, janë prova më e qartë e rritjes dhe maturimit profesional të Policisë së Shtetit, duke e bërë atë një partnere të denjë të homologeve të saj ndërkombëtar.
Qytetarët e dinë tashmë se niveli i krimeve të rënda ka rënë ndjeshëm që nga viti 2005 e në vijim. Po kështu numri i vjedhjeve me dhunë, armë, është shumë herë më pak se në vitin 2005. Policia ka punuar dhe po punon fort për regjistrimin e të gjitha llojeve të krimit dhe kjo ka sjellë rritjen e besimit të qytetareve tek uniformat blu. Regjistrimi i veprave penale, dëshmon se tani qytetarët kanë besim tek policia, denoncojnë dhe bashkëpunojnë në luftën ndaj krimit.
Policia e Shtetit është një organizatë serioze, e cila mbështetet fuqishëm tek punonjësit e saj, të përzgjedhur falë një procesi të bazuar në praktikat më të mira perëndimore, të mirëtrajnuar sipas standardeve më të larta, ku ecuria në karrierë bazohet tek vlerat dhe meritat e çdonjërit, përfshirë këtu dhe nivelet drejtuese.
Tashmë Policia e Shtetit ka një trupë të shkëlqyer policore me drejtues dhe efektivë nga e gjithë Shqipëria dhe eliminimi i specialistëve nga reformat politike do të dëmtonte organizatën e policisë dhe rrezikonte zbatimin e ligjit.
Policia e Shtetit tashmë është e depolitizuar dhe këtë e ka dëshmuar me qëndrimin e saj gjatë proceseve zgjedhore, duke marrë dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve për korrektësinë e zbatimit të ligjit nga ana e të gjithë punonjësve të saj. Kjo është dëshmia më e qartë e standardeve të arritura tashmë nga Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit është në shërbim të të gjithë qytetarëve të këtij vendi dhe i bëjmë thirrje subjekteve politike, që të ndalin fushatat e ndërmarra kundër Policisë së Shtetit dhe pjesëtarëve të saj.
Akuzat politike ndaj Policisë, nga kushdo spektër politik, vënë në pikëpyetje respektin ndaj tyre, por edhe respektin ndaj ligjit dhe shtetit ligjor. Respekti ndaj ligjit nuk duhet të jetë asnjëherë pjesë e taktikave elektorale. Kjo sjellje dëmton mundësinë dhe aftësinë e policisë që të luftojnë krimin dhe sjell përfitime vetëm për agjendat politike.
Askush nuk mund dhe nuk duhet të mohojë punën dhe angazhimin madhor të Policisë së Shtetit dhe çdo punonjësi në radhët e saj në shndërrimin e këtij vendi në një vend të sigurt, kontributin e tyre për mbrojtjen e jetës, sigurisë, pronës së qytetarëve, si dhe për garantimin e funksionimit dhe zbatimit të ligjit.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se do të vijojë me vendosmëri dhe përkushtim punën dhe angazhimin për të garantuar rendin publik, larg çdo ndikimi politik, duke i shërbyer çdo qytetari të këtij vendi.
Angazhimi i policisë është vetëm ndaj qytetarit, në shërbim të tij dhe nuk ka kthim prapa. Policia e Shtetit është e gjithë qytetarëve.
Lista e drejtuesve aktualë dhe vendi i origjinës së tyre.
Zv/Drejtorët e Përgjithshëm
1. Zv/Drejtori i Përgjithshëm kundër Krimit të Organizuar e Krimeve të rënda, Z. Agron Kuliçaj, B.Curri (Kukës)
2. Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Z. Muhamet Rrumbullaku, Tiranë
3. Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin e Migracionin, Z. Pëllumb Nako, Skrapar (Berat)
4. Zv/Drejtore e Përgjithshme për Trajnimin Policor, Zj. Anila Hoxha, Delvinë
5. Zv/Drejtori i Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse, Z. Dashamir Maçi, Tiranë
Drejtorët e Policisë në Qarqe
1. Drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, Z. Bernard Çaushaj, Vlorë
2. Drejtor i Policisë së Qarkut Fier, Z. Arjan Bozhaj, Fier
3. Drejtor i Policisë së Qarkut Vlorë, Z. Artan Cuku, Peshkopi
4. Drejtor i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Z. Ajet Ibro, Përmet
5. Drejtor i Policisë së Qarkut Shkodër, Z. Aleks Hajdari, Pukë
6. Drejtor i Policisë së Qarkut Berat, Z. Altin Qato, Skrapar, Berat
7. Drejtor i Policisë së Qarkut Durrës, Z. Emri Vata, Kukës
8. Drejtor i Policisë së Qarkut Korçë, Z. Gjergj Jorgo, Ersekë, Korçë
9. Drejtor i Policisë së Qarkut Elbasan, Z. Halit Murataj, Mallakastër, Fier
10. Drejtor i Policisë së Qarkut Lezhë, Z. Arben Hajdarmataj, Kukës
11. Drejtor i Policisë së Qarkut Kukës, Z. Pëllumb Seferi, Kavajë
12. Drejtor i Policisë së Qarkut Dibër, Z. Izet Hysa, Peshkopi
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





