Transmetuar më 08-04-2013, 01:46

Banka e Shqipërisë konstaton se bizneset e huaja që operojnë në Shqipëri po nxjerrin shuma të mëdha parash jashtë vendit dhe se një pjesë e mirë e fitimit të tyre të siguruar në Shqipëri, ka shkuar në vendet e origjinës, kryesisht ato fqinje, Greqi, Itali, etj.

Në raportin e saj të fundit që publikoi, Banka e Shqipërisë evidenton se gjatë vitit 2012, bizneset e huaja kanë nxjerrë nga vendi ynë rreth 40 % të fitimeve ose 264 milionë euro.

Banka e Shqipërisë konstaton gjithashtu se shoqëritë e huaja po riinvestojnë gjithnjë e më pak fitimin e tyre në Shqipëri.

Ekspertët e Bankës së Shqipërisë duke parë këto raporte të transferimit të kapitalit kanë vendosur të forcojnë masat dhe rregulloret, për të kontrolluar daljen e parasë jashtë vendit.

Një ligj i ri, synon të rregullojë transferimin e kapitaleve jashtë vendit, mungesën e transparencës në sistemin e pagesave, por edhe pasiguritë e mbajtjen nën kontroll të çmimeve në tregun brendshëm. 

Ligji për sistemin e pagesave synon të sigurojë bazën ligjore për përfshirjen e Bankës së Shqipërisë në rolin mbikëqyrës dhe reformator për sistemim kombëtar të pagesave. 

Ligji i ri i hartuar nga Banka e Shqipërisë ka marrë edhe asistencën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ky ligj në projekt, ka mbërritur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit