

Megjithëse është një nga këngëtarët më të përfolur të momentit, pas ndarjes me të dashurën e tij disa vjeçare Afërdita Dreshaj, sapo hapet kjo temë nuk dëshiron që të flasë më, duke thënë se arsyet e ndarjes, i dinë vetëm ata të dy. Këngëtari Shpat Kasapi, vjen në një intervistë për Koha Jonë, duke treguar disa nga projektet e tij më të reja, si dhe këngën e tij që pritet ta nxjerrë në muajin maj, me titull “Si Kazanova”.
Si është pritur kënga juaj më e re “Adelina”, e cila ka pak javë që është në tregun muzikor?
Kënga “Adelina” është pritur shumë mirë dhe këtë e kam parë jo vetëm nga përshtypjet e fansave të mi dhe nga komentet që kanë bërë, por edhe nga numri i klikimeve që ka marrë në “Youtube”, ndërkaq jam duke bërë edhe një këngë të re.
Po videoklipi i këngës, ishte ideja juaj?
Ishte ideja e skenaristes Julit, që unë e kam edhe mikeshë shumë të mirë dhe e kompanisë “Provideo”, me të cilën unë kam realizuar këtë klip. Edhe unë kisha nja dy ide të miat dhe mendoj se u kombinuam shumë bukur. Edhe videoklipi i këngës së re, është ideuar shumë bukur dhe ekskluzivisht për gazetën tuaj, po them edhe titullin. Do të titullohet “Si Kazanova” dhe do të jetë një këngë shumë e bukur verore.
Në cilën rrymë do të jetë kënga e re?
Do të jetë e rrymës dance dhe do të ketë një tekst interesant dhe mendoj se do të dalë diku nga muaji maj, që të jetë edhe për sezonin veror.
Shpesh titujt e këngëve që ju këndoni, ngatërrohen me jetën tuaj private. Ju tashmë jeni single dhe do të këndoni këngën “Si Kazanova”, mos do të jenë një paralajmërim për statusin tuaj të ri?
Jo, nuk do të thosha këtë. Pasi titulli i çdo këngë është thjesht i tillë. Ky për të cilin po flasim, është titulli i këngës më të re, e cila flet për një femër që unë e kam bërë për vete dhe unë ndjehem si Kazanova që arrita ta bëj për vete. “Për vete të bona zemrën ty ta mora”, këto janë fjalët e refrenit. Nuk ka lidhje fare me jetën time dhe me mua, sepse nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë tip aventurieri.
Tekstet e këngëve i bëni vetë apo ia besoni të tjerëve?
Kam bërë edhe tekste vetë, sikurse ka raste edhe kur m’i bëjnë të tjerët.
Ndërkaq, ju keni qenë i angazhuar nëpër koncerte të ndryshme apo jo?
Po, kam qenë së fundmi në Perugia të Italisë, për të festuar pashkët dhe shumë shpejt do të shkoj me koncerte në Australi. Në muajin maj do të mund që t’i akordoj edhe klipin edhe koncertet atje, jam shumë i lumtur që do të shkoj në Australi sepse është hera e parë që do të performoj para publikut dhe komunitetit shqiptar atje. Ka shumë vite që më kanë bërë ftesa, por për shkak të angazhimeve të mia të shumta, nuk kam pasur rastin që të shkoj më herët. Besoj se edhe ata, mezi po presin.
Në koncertet që mbajtët në Itali, ishit edhe me këngëtaren e njohur Samanta Karavello. Menjëherë pas daljes së fotove u përfolët për një lidhje me këtë këngëtare, ç’mund të na thoni ju për këtë?
Është përfolur më parë edhe për disa foto që kam dalë me Tunën tani po flasin për Samantën. Këto janë dy kolege të miat shumë të mira, që përveçse kolege, i kam edhe shumë shoqe të mira. Vet profesioni ynë është i tillë që ne jemi shpesh në udhëtim dhe në koncerte së bashku, kështu që do të shoqërohemi me njëri-tjetrin kur nuk jemi duke kënduar. Këto dalje tonat nuk duhet në asnjë mënyrë që të përfliten, sepse ne jemi thjesht shokë e shoqe. Po të ishte diçka më tjetër unë do të thosha të vërtetën, sepse nuk kam pse e fsheh, pasi nuk ka asgjë të çuditshme nëse lind diçka mes nesh, por ne jemi thjesht shokë. Sidomos me Tunën kemi qenë shokë që në shkollë bashkë dhe nuk mund që ta mendoj një lidhje me të, sepse është folur shumë për këtë. Apo edhe tani me Samantën, është folur, por megjithëse është një vajzë shumë e mirë, nuk ka asgjë mes nesh, vetëm shoqëri.
A është e vërtetë se tanimë që ju nuk jeni më në lidhje, është rritur numri i fanseve tuaja?
Nuk do të thoja se është shtuar, sepse fanset e mia e dinë se unë një ditë do të jem në një lidhje tjetër dhe do të kem jetën time, ndoshta sepse është përfolur shumë ndarja ime, ato tani janë aktivizuar më shumë. Nuk mund të them se janë shtuar, sepse atyre në radhë të parë ju ka pëlqyer muzika që unë bëj.
Por kemi vënë re që janë rritur spektatoret femra në koncertet tuaja…
Ndoshta, pasi këtë gjë ju gazetarët e shihni më ndryshe. Sepse unë jam po i njëjti Shpat, që kam qenë dhe nuk e kam vënë re një gjë të tillë. Mendoj se fansat e mi nuk duhet t’i ngatërrojnë këto gjëra, pasi edhe unë kam një jetë timen. Sigurisht që më pëlqen dhe fakti që veç muzikës sime ato më pëlqejnë edhe mua, por kjo mendoj se duhet të ndikojë kur je beqar apo je i martuar apo i lidhur me dikë. Fansat mbeten fansa.
Ju tashmë jeni përsëri në tregun e beqarëve, çfarë duhet të ketë një femër që të tërheqë vëmendjen tuaj?
Ajo që më tërheq vëmendjen është origjinaliteti, por që të jetë femra ime ideale, duhet në radhë të parë të jetë njerëzore dhe sigurisht edhe besnike dhe origjinale siç thashë edhe më lart.
Ju sapo keni dalë nga një lidhje e gjatë dhe arsyet pse jeni ndarë i dini vetëm ju të dy, por do të ndikojë kjo në një lidhje tuajën të re? Pra, mendon se në një farë mënyre do ta paragjykoni paksa gjininë femërore, pas kësaj disfate të themi?
Ndoshta po, ndoshta jo. Por mendoj se kur e dashuron dikë me gjithë zemër, nuk ka vend për paragjykime. Kur e pëlqen një femër, nuk kanë më vend paragjykimet, sepse ke bërë një zgjedhje dhe nuk ka më vend për ta paragjykosh, sepse po kërkon që ta njohësh më mirë. Dhe vetë si natyrë jam kundër paragjykimeve, sepse kur nuk e njoh një njeri, nuk kam të drejtë të paragjykoj.
Ju jeni ndër këngëtarët që kujdesen për imazhin e tyre, i besoni vetes, apo specialistëve të fushës?
Kur jam në Shkup, kujdeset Armend Ramadani, është një stilist që kujdeset për imazhin tim, si nëpër klipe, ashtu edhe në daljet televizive apo koncertet e ndryshme. Ndërsa kur jam këtu në Shqipëri, kujdeset një djalë këtu që quhet Turi. Ndërsa kur dal në jetën e natës, kujdesem vetë.
E frekuentoni paksa më shumë tashmë që jeni single, jetën e natës?
Jo, është e njëjta frekuencë sikur edhe më parë, nuk ka ndryshuar pasi varet edhe nga obligimet e mia artistike. Nuk do të thosha se është më e shpeshtë, sepse e thashë edhe më lart që unë nuk dua që të dal jashtë natyrës sime.
Si është një ditë e zakonshme e juaja?
E kam bioritmin tim, paksa të çrregulluar, sepse jam shpesh në fluturim dhe marrëdhëniet me gjumin, nuk i kam shumë të mira. Po një ditë e imja është shumë normale. Kur kam shumë angazhime, fle pak më shumë se më duhet që të jem i çlodhur, ndërsa kur nuk kam aktivitete fle pak më vonë dhe e kaloj një pjesë të mirë të kohës me shokët e mi, duke parë futboll, pasi këto kohë ka pasur edhe ndeshje derby shumë të bukura. Kohët e fundit kam ndarë me shoqërinë edhe këtë temën time, që nuk kishte si ta anashkaloja, sepse flitej gjithandej për ndarjen time.
E keni ndarë këtë zhgënjim tuajin në dashuri edhe me miqtë tuaj, kanë qenë ata mbështetësit tuaj më të mirë, gjatë kësaj periudhe të vështirë për ty?
Sigurisht që ata nuk e kanë pritur mirë, sepse askush nuk do që të më shikojë keq, aq më tepër pas një lidhje të gjatë, sepse kur e ke një njeri të afërt, shok, do të të shohë mirë, nuk e di çfarë kanë menduar të tjerët, sepse ka mendime të ndryshme, po shokët kanë qenë përkrahësit e mi dhe më kanë mbështetur.
Më thatë se ju pëlqen që të shihni futboll, po ju vetë, jeni marrë me sport?
Po, unë kam qenë basketbollist që i vogël.
Po përse zgjodhët muzikën dhe nuk u bëtë basketbollist profesionist?
Të them të vërtetën kam pasur edhe oferta përsa i takon këtij sporti, pra të bëhesha basketbollist, por meqenëse kisha filluar të merresha edhe me muzikën në atë kohë, zgjodha të merrem vetëm me muzikën.
Cilat do të jenë projektet tuaja, a do ju shohim në skenat e festivalit?
Projekte të veçanta veç atyre që thashë më lart, nuk kam. Do të jem i angazhuar nëpër koncerte të ndryshme, por sa i përket skenave të festivaleve, këtë do ta le surprizë për fansat e mi.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





