

Elbasan, 6 prill 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Duke e cilësuar bashkimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim si garanci për mbrojtjen e votës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, nga qyteti i Elbasanit tha se Shqipëria më e çoroditur nuk ka qenë asnjëherë.
Ai theksoi se nga bashkimi i PS me LSI garantohet rrënimi i Partisë Demokratike dhe kreut të saj Sali Berisha.
Duke bërë një renditje të viktimave të ditës së sotme, shefi i opozitës deklaroi se krimi ka arritur përmasa alarmante, duke u zotuar se qeverisja socialiste do e kthejë policinë në krye të detyrës.
“Shqiptarët kanë sot shumë më pak mundësi dhe shumë më pak shpresë se 20 vite më parë, aq sa sot mbi 130 vetë ikin çdo ditë jashtë Shqipërisë. Nëse do kthehemi 100 vite mbas, për shembull te shtëpia e gjyshit tim, sigurisht ai fshat nuk ishte më i zhvilluar se sa është sot, por kishte prindër, fëmijë dhe kishte marrëdhënie krejt të tjera nga sa janë sot. Por në atë fshat kishte mësues, por kush mund të më thotë sot se në atë fshat apo në fshatrat e gjithë Shqipërisë, mësuesit kanë zotësinë e mësuesve të atij fshati. Kur ky zotëria iu drejtua Shqipërisë me duar të pastra 4 vite më parë, se duart tona nuk ishin të bashkuara, analfabetizmi ishte 5%. Por ky analfabetizëm është dyfishuar dhe çdo 4 vjeçar do të sjellë 5% më shumë rritje të analfabetizmit”, u shpreh Rama, duke theksuar se fëmijët e fshatit sot janë në pikë të hallit, të braktisur dhe rrënuar.
Në vijim siç raporton noa.al, ai tha se PS është e bindur se nuk do bëjë mrekullia por do rilindë Shqipërinë, duke rilindur shpresën dhe dinjitetin e çdo personi.
Rama tha se pas 23 qershorit do rilindë çdo sipërmarrës që do të niset në punë i cili do i trembet konkurrencës, por jo xhandarit të ditës që do kërkojë bakshishin për të mos vënë gjobën e radhës.
“Qeveria pas 23 qershorit do ketë frikë, jo nga sa thonë njerëzit, por se sa e aftë do jetë për të plotësuar ata që duan njerëzit, dhe jo duke i marrë me zor në mitingje por duke iu dhënë arsye për tu ndjerë të lirë dhe krenarë që me punën e tyre të mund të arrijnë të mbajnë familjen”, tha ndër të tjera kryesocialisti.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





