

Tiranë, 6 prill 2013, NOA – Një prej linjave më të amortizuara të urbanëve në Tiranë shumë shpejt do të ketë një shërbim më cilësorë. Bashkia e Tiranës ka vendosur të përmirësoj shërbimin e transportit urban në linjën e zonës së Kombinatit. Bashkia bëri të ditur sot se ka përzgjedhur operatorin e ri që do të ofrojë shërbimin në linjën Kombinat-Kinostudio.
Sipas Bashkisë, operatori do të sjellë fillimisht 20 autobusë tërësisht të rinj. “Këta autobusë me kapacitet secili prej 100 vendesh do t’u vihen në shërbim qytetarëve, menjëherë sapo të përfundojnë procedurat e licensimit. Deri në fund të vitit, operatori do të sjellë edhe 16 autobusë të rinj, duke e çuar numrin e përgjithshëm të mjeteve në shërbim të udhëtarëve të linjës Kombinat – Kinostudio, në 36”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Kjo linjë pritet të sjellë dhe ndryshime në oraret e shërbimeve. Orari i funksionimit të kësaj linje do të jetë: Gjatë stinës së verës nga ora 5.00 deri në orën 24.00 dhe gjatë dimrit nga ora 5.30 deri në orën 23.00.
“Bashkia e Tiranës do t’u ofrojë udhëtarëve që përdorin transportin publik të linjës Kombinat – Kinostudio, një shërbim të ri me standarde të larta, duke i dhënë përfundimisht fund një trashëgimie të hidhur të transportit në këtë linjë”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.
a.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





