Transmetuar më 05-04-2013, 20:16

Shkodër, NOA.al – Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, ka diskutuar të premten në Shkodër mbi gjendjen e kriminalitetit, duke u fokusuar sidomos tek fenomeni i gjakmarrjes dhe roli i institucionit për parandalimin dhe zbutjen e veprave të rënda penale të hakmarrjes.

Gjatë takimit për prezantimin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, z. Besnik Cani, i cili më parë drejtonte prokurorinë e Fierit, z. Llalla ka kërkuar “impenjim më të madh nga ana e stafit jo thjesht në evidentimin dhe ndëshkimin e fenomenit të gjakmarrjes, por më së pari për marrjen e një roli më aktiv në ndërgjegjësimin e popullsisë së prekur nga ky fenomen që t’u shmangen veprimeve kriminale të kësaj natyre”.

Gjithashtu, z. Llalla kërkoi edhe forcimin e bashkëpunimit me strukturat lokale të Policisë së Shtetit, si edhe angazhim maksimal për mbledhjen e fakteve me qëllim vendosjen para drejtësisë të personave të përfshirë në akte kriminale.

Në deklaratën e zyrës së shtypit, nuk thuhet asgjë se si e ka menduar z.Llalla që ta realizojë luftën ndaj dukurisë së gjakmarrjes. Kurse nuk arrihet të merret informacion për shkak të urdhrit të bërë publik nga Prokurori i Përgjithshëm, nga asnjë prej vartësve të tij, për atë se çfarë ka kërkua konkretisht Llalla kur ka shpallur luftë ndaj gjakmarrjes dhe metodën që mendon të ndiqet për dukurinë mbi 20 vjeçare. a.b/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit