

Durrës, NOA.al- Duke prezantuar në qytetin e Durrësit, programin e Partisë Socialiste mbi shërbimet publike, kryetari Edi Rama tha se, “e majta nuk do ta shohë kurrë shtresën në nevojë si burim votash, por do t’i garantojë ndihmën e nevojshme.”
Sipas Ramës, qeveria sot i bën shantazh kësaj shtrese duke e mbajtur peng për vota. “Janë 50 milionë dollarë që janë fond i konsiderueshëm, një shumë parash që dalin nga xhepat e popullit dhe pas 23 qershorit nuk do të shpenzohen për qëllime politike në dëm dhe cënim të dinjitetit të shqiptarëve të varfër dhe të papunë”, tha ai.
Duke dialoguar me pjesëmarrësit në sallë, Rama tha se, “ju e dini fare mire se çfarë ndodh 4- 5 muaj para zgjedhjeve sesi kryetarët e njësive vendore të partisë në pushtet e mbajnë pa dhënë këtë ndihmë ekonomike si peng për votën ashtu sikundër e përdorin emrin e të varfërve për të bërë shantazh për votën”.
Kryetari i PS iu referua situatës së institucioneve arsimore në zonat me ndërtime të reja, siç është dhe Kamza, por “ku mungon shteti, i cili ka për detyrë të sigurojë për banorët e këtyre zonave, çerdhet, kopshtet, dhe shkollat e të gjitha niveleve.”
“Unë besoj që është problemi më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë dhe veçanërisht për zona si Kamza, Paskuqani, apo si zona e kënetës në Durrës dhe të tjera zona të ndërtuara informale ku, ju e dini mirë, vërtet janë ndërtuar shtëpitë, por nuk ka shtet. Nuk ka shtet që të garantojë një arsim cilësor nga çerdhja, kopshti e deri në gjimnaz. Nuk ka shtet, që të garantojë shërbimet e tjera”, theksoi ai.
Edi Rama e vlerësoi si të domosdoshëm investimin në arsim dhe punësim për të dalë nga kriza,“në qoftë se duam të dalim nga kjo krizë ne duhet të investojmë në punësim, duhet të investojmë në arsim. Ne duhet të investojmë që ata fëmijët e vegjël sot të mos katandisen nesër, që të mos kenë asnjë mundësi.”o.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





