

Prishtinë 4 Prill 2013, NOA.al/ Tinka Kurti- Dy ditë pas dështimit të nënshkrimit të një marrëveshjeje në Bruksel, Kryeministri Hashim Thaçi shprehet se marrëdhëniet me Serbinë do të normalizohen.
Megjithëse palët nuk kishin arritur një marrëveshje edhe pas raundit të tetë të dialogut me Serbinë në Bruksel, Thaçi është i bindur se marrëveshja mes dy vendeve do të arrihet.
Kryeministri thekson se problemet dhe vështirësitë i sheh në zbatimin e marrëveshjes dhe jo në arritjen e saj.
“Në Kosovë ka zëra skeptik që nuk besojnë në arritjen e një marrëveshje, por unë jam optimist se kjo do të ndodhë”, është shprehur Thaçi në një konferencë të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Sic raporton gazetarja e noa.al në Prishtinë ai ka shtuar se, “Me arritjen e marrëveshjes gjërat do të fillojnë të normalizohen, vështirësi do të ketë, kundërshtarë të kësaj marrëveshje gjithashtu do të ketë, por vullneti i atyre që arrijnë marrëveshje dhe i faktorëve mbështetës është më i fuqishëm se i atyre që e kundërshtojnë”.
Sipas tij, është i pamundur një krahasim me bisedimet e Vjenës dhe Rambujese. Ai theksoi se dallimi mes këtyre është se tashmë po bisedohet për normalizim të marrëdhënieve.
Dialogu Kosovë- Serbi kishte përfunduar pa një marrëveshje meqë pala serbe nuk kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime.
Dita e martë është afati i fundit për Serbinë për t’i treguar Brukselit nëse e pranon marrëveshjen ose jo.
Ndërkaq, nëse nënshkruhet marrëveshje, Thaçi obligohet ta dërgojë atë në Kuvendin e Kosovës meqë i duhet të paktën 2/3 e deputetëve për ta ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





