

Prishtinë 3 Prill 2013, NOA.al/Tinka Kurti- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke komentuar mos arritjen e një marrëveshje me Serbinë, ka thënë se ky proces nuk mund të quhet i mbyllur dhe as i dështuar.
“Shpresojmë se Serbia do të pranojë realitetin dhe marrëveshjen. E di se nuk janë vendime të lehta për asnjë vend dhe për asnjë lider, por secili nga ne duhet të shikojë drejt së ardhmes dhe të mos mbetemi peng i së kaluarës”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kosova ka qenë e gatshme të pranojë marrëveshjen, por ka qenë pala serbe ajo që ka refuzuar.
Ai është pyetur edhe rreth konfliktit me palën serbe, për të cilën ishte ndërprerë dialogu.
“Unë u kam kujtuar atyre Kushtetutën e Kosovës, nëse atyre nuk u pëlqen është punë e tyre”, ka thënë Thaçi, informon gazetarja e noa.al në Prishtinë.
Për Asociacionin e Komunave ka thënë se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive kurse strukturat paralele ka thënë se do të shpërbëhen. Thaçi ka premtuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri.t.k/a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





