



Tiranë, 3 prill 2013, NOA.al/Arjola Ymeraj- Jo vetëm që Lëvizja Socialiste për Integrim do bashkohet në koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste, por siç deklaroi kreu i saj Ilir Meta forca politike që ai drejton do tërhiqet nga çdo nivel politik, edhe në nivelet vendore duke përfshirë këshillat bashkiakë.
Në vijim të fjalës së tij kreu i LSI tha se kjo forcë politike është e majtë, dhe se bashkëpunimi me Partinë Socialiste nuk synon që të rishkruhet historia.
“Në vitin 2005 dhe 2009 nuk ka pasur ftesë për bashkëpunim nga Partia Socialiste, aktualisht kemi një ftesë zyrtare. Ne jemi për ndryshimin e qeverisë dhe qeverisjes përmes votës së qytetarëve. Ne do tërhiqemi në çdo nivel politik. Ndryshimi i qeverisë dhe qeverisjes duhet të ndodhë përmes votës mbarëpopullore”, deklaroi Meta, raporton noa.al.
I pyetur nga gazetarët për demonstratën e 21 Janarit ku u shënuan 4 viktima dhe nëse nevojitet një ndjesë publike nga Edi Rama, ai theksoi se të gjithë shqiptarët presin të hidhet një hap më përpara drejt procesit të integrimit, ku shtoi se me të kaluarën u takon të merren të gjithë analistët, historianët dhe arkeologët.
Meta e cilësoi veten e tij si një politikan që punon për zgjidhje politike, duke vlerësuar se koalicioni me Partinë Demokratike i ka përmbushur disa nga detyrat kryesore dhe se tashmë ka nevojë për një ekuilibër politik, i cili do shtojë bazën e bashkëpunimit mes të gjitha palëve.
Ndër të tjera kreu i LSI deklaroi se, “Ne sot vijmë me 120 mijë vota të sigurta të cilat do rriten shumë më tepër më 23 qershor. Morali më i rëndësishëm në politikë është ai i së ardhmes, me të shkuarën ftoj historianët dhe arkeologët që të merren. Ne duhet të japim një zgjidhje të re politike që do të vendosë një ekuilibër të ri në politikë”.
Sakaq Meta nënvizoi se Kryeministrin Sali Berisha e falënderoi seriozisht për bashkëpunimin dhe jo për 1 prillin ditë kur ndodhi takimi mes tyre. Ai e cilësoi bashkëpunimin me PD si një eksperiencë që do i vlej politikës shqiptare për të ardhmen.a.y/noa.al
Meta pranon publikisht: Dal nga qeveria, do bashkohem me Ramën
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





