Transmetuar më 03-04-2013, 13:41

Tiranë, 3 prill 2013, NOA.al- Çështja në ngarkim të Dritan Dajtit i akuzuar për vrasjen e katër policëve në Durrës, ka bërë që të vihet në dijeni edhe Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i cili mban edhe postin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Siç raporton noa.al, ishte Gjykata e Krimeve të Rënda ajo që vuri në dijeni Presidentin Nishani dhe KLD, duke kërkuar ndërhyrje për këtë proces gjyqësor, pas dështimit të seancës së radhës në ngarkim të tij.

Mësohet se në mbrojtje të Dajtit në seancën e sotme nuk janë paraqitur avokatët e caktuar kryesisht, Maksim Haxhia dhe Fatmir Braka.

Prej më shumë se një viti avokatët e caktuar kryesisht për të mbrojtur Dajtin kanë refuzuar ta kenë si klientë, çka bëri të domosdoshme njoftimin e kreut të KLD, për të ndërhyrë me qëllim zhbllokimin e procesit.

Sakaq i pandehuri në seancën e sotme akuzoi gjykatën se po zvarrit procesin. Dritan Dajti akuzohet se në 7 gusht të vitit 2009 vrau efektivët e policisë Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feskaj, gjatë një operacioni ku viktimat po punonin për kapjen e tij.a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit