Transmetuar më 03-04-2013, 02:10

Cili është përfitimi i Ramës nga kjo marrëveshje? Vetëm një: Nëse fiton koalicioni, mund të jetë për një periudhë afatshkurtër kryeministër i vendit. A do të bëhet Ilir Meta aleati i socialistëve? Kjo është pyetje që pret përgjigje nga Edi Rama, kryetar i zgjedhur nga socialistët, mes shumë arsyeve, edhe në emër të moralit në politikë

Nga Dritan Hila 

Ka kohë që përflitet një koalicion ndërmjet PS-së dhe LSI-së. Një marrëveshje e mundshme, shoqëruar nga dhjetëra pyetje e pikëpyetje, jo vetëm morale, duke filluar nga 21 janari. Kujt do t’i faturohen të vrarët e 21 janarit? Kush janë “kokëpalarët” sipas Ilir Metës? Si e justifikon ai pjesëmarrjen në qeverisjen e deritanishme që do ta lërë vendin në një krizë më të thellë nga sa e gjeti? Cili është arsyetimi për mjekësinë e shkatërruar dhe korruptive, diplomacinë nepotike dhe privatizimet e menaxhimin skandaloz të ekonomisë shqiptare, të gjitha, dikastere të drejtuara nga Meta dhe të tijtë? Cilat janë lidhjet e tij me Serbinë dhe politikën e tij personale kapitullante ndaj saj dhe bizneseve serbe? A ka një justifikim për mbrojtjen e flaktë që i bëri marrëveshjes për detin, kur u emërua ministër i Jashtëm? Ilir Meta, në daljet e tij publike, përpiqet t’i rrisë aksionet vetes dhe hipnotizojë palët e tjera të politikës, se është në gjendje me mercenarët e tij, të vendosë fatin e kujtdo të jetë në qeveri ose jo. Është blofi i njeriut që sondazhet e nxjerrin në kuotat minimale. Por nëse ia del të impresionojë dhe bindë Ramën, dhe koalicioni me LSI-në ndodh vërtet, disa pyetje do të lindin edhe për shefin e socialistëve. A ka Rama një mandat nga organizmat drejtues të Partisë Socialiste për këtë aleancë? Pasi luftën ndaj Metës, Rama e ka shpallur në Asamblenë e Socialistëve ndaj edhe mandatin për paqtim duhet t’ia kërkojë po asaj. Kjo është e drejtë e njerëzve që kanë bërë tetë vjet opozitë, edhe për shkak të Ilir Metës. A mendon Rama se cili do jetë fati i qytetarëve dhe intelektualëve, shqiptarëve të thjeshtë, që besuan tek Rama dhe lufta e tij kundër LSI-së si bashkëfajtore në vjedhje dhe krime njësoj si Berisha? Si një lider politik që i ka hije të mendojë për fatin e ndjekësve të tij, a e mendon Rama fatin e njerëzve që u armiqësuan me Metën, dhe papritur shohin se Meta do jetë njeriu i fuqishëm i qeverisjes së ardhme PS-LSI, ndërsa ata do të jenë gjellë për hakmarrjen e tij? Pyetja e madhe që do përgjigje është se, për profanizëm të kujt, socialistët u desh të rrinin në opozitë, kur kjo martesë mund të kishte funksionuar qysh më 2007-ën? Nëse koalicioni me LSI-në ndodh, gjithë kjo histori nuk do të ketë lidhje me asnjë lloj morali, qoftë edhe të politikës shqiptare, që njihet si më i përdali. Pas kësaj, asnjë politikan shqiptar, nuk do të mundet të akuzojë shokun si i përbaltur, pasi të gjithë do të jenë të llangosur si hajdutë, vrasës direkt, pjesëmarrës në vrasje ose fshehës të saj. Po nëse koalicioni ndodh vërtet, cila do të jetë e tashmja dhe e ardhmja e protagonistëve? Aleanca PS-LSI, amniston gjithë krimet e mëdha të këtij tetëvjeçari. Nuk do të përgjigjet askush për marrëveshjen e varrezave të ushtarëve grekë, marrëveshjen e detit, importin e plehrave, “Gërdecin” apo të vrarët e 21 janarit, pasi gjithë ortakët e Berishës, ata me të cilët vodhi apo për të cilët vrau, do të jenë në qeverisjen e ardhshme socialiste; nuk do të ketë asnjë garanci për një qeverisje qytetare dhe për qytetarët, pasi institucionalizuesi i monopoleve në tregti dhe pushtet, që e ktheu partinë dhe qeverisjen në strehë për bashkëfshatarët e tij, kur ishte kryeministër, Ilir Meta, do të jetë faktori kryesor i saj; nuk do të kemi një administratë publike apo shpresë se ajo do të bëhet, pasi njeriu që i emëronte dhe çemëronte ministrat sipas qejfit të tij apo familjes, që përdorte emërimet në administratën publike për pazaret e tij politike, që nuk kishte asnjë respekt për kapacitetet intelektuale të njerëzve dikur, do të jetë rishtas ai që do ketë çelësat e qeverisjes; nuk do të ketë shans për qeverisje të ndershme, pasi njollosësi i të gjitha qeverisjeve socialiste si të korruptuara në të shkuarën, njeriu i bllokut të skandaleve të qeverisë “Berisha”, do të jetë pika e referimit për gjithë matrapazët në qeverisjen e ardhshme të së majtës. Cili është përfitimi i Ramës nga kjo marrëveshje? Vetëm një: Nëse fiton koalicioni, mund të jetë për një periudhë afatshkurtër kryeministër i vendit. A do të bëhet Ilir Meta aleati i socialistëve? Kjo është pyetje që pret përgjigje nga Edi Rama, kryetar i zgjedhur nga socialistët, mes shumë arsyeve, edhe në emër të moralit në politikë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit