Transmetuar më 02-04-2013, 13:37

Nuk mund të lihet Shqipëria të zvarritet më tej në xhunglën e të pavërtetave që gëlojnë rreth e përqark jetës së kujtdo shqiptari që i bie për shkurt çdo muhabeti dhe ndodhie a ngjarjeje të zakonshme a të jashtëzakonshme, sepse në këtë mënyrë i bie më kollaj dhe më lehtë për momentin, edhe pse më vonë ‘i del për hundësh’!

Nga Edmond Vlashaj

Nuk ka dhe nuk ka për të pasur kurrfarë zhvillimi pa Drejtësi. Pa drejtësi që krijohet dhe ndërtohet mbi të vërtetën, mund të ketë fushata me ngjyra të bukura, konventa me recitime të mësuara përmendsh e kurrkund të ndjera në shpirt, konferenca shtypi të stisura sipas këshilltarëve të importuar prej kombinateve që prodhojnë stereotipa e prototipa zyrtarësh partiakë, por kurrë-ndonjëherë nuk mund të ketë zgjidhje për popullin dhe njerëzit e thjeshtë.

Nuk mund të pretendojmë që shteti dhe administrata publike të ndryshojë në qasje dhe në shërbimin e përditshëm nëse më parë ne qytetarët e këtij vendi nuk fillojmë të mendojmë seriozisht për ndërtimin e një etape të re të historisë sonë kombëtare e njerëzore që lidhet me Vërtetësinë dhe Drejtësinë. Nuk mund të lihet Shqipëria të zvarritet më tej në xhunglën e të pavërtetave që gëlojnë rreth e përqark jetës së kujtdo shqiptari që i bie për shkurt çdo muhabeti dhe ndodhie a ngjarjeje të zakonshme a të jashtëzakonshme, sepse në këtë mënyrë i bie më kollaj dhe më lehtë për momentin, edhe pse më vonë ‘i del për hundësh’! Xhungla e të pavërtetës dhe e padrejtësisë fillon e bëhet një gropë plot llum, e cila tërheq brenda edhe burrin a gruan më të mirë në dukjen e parë, që në fakt edhe në të parën edhe në të mbrapmen dukje, veç shkurt i kish pas rënë, andej nga xhungla e rrenave, apo gënjeshtrave përndryshe, për ta pasur më të lehtë anashkalimin e të vërtetës. Kësaj i thonë t’i bësh gropën vedit, në një farë mënyre, mirëpo kuptohet tashmë se do të na duhej që për t’u ndarë njëherë e mirë nga ky llum rrenash, të bënim të mundur, një orë e më parë, ndarjen e shapit nga sheqeri apo ndarjen e të vërtetës nga gënjeshtra apo soji i rrenave.

Asnjëherë nuk u kujtuam të mbushemi me guxim për t’i thënë mjekut apo kirurgut "boll me kaq se e teprove me qindra-mijëra lekët që u merr njerëzve, për të bërë operacionin që e ke për detyrë ta bësh sepse paguhesh tashmë prej shtetit tim". Asnjëherë nuk u kujtuam tashmë, t’u themi "boll me kaq edhe pedagogëve që marrin qindra euro për të kaluar studentët nëpër provime". E më rrallë do të na duhej shumë guxim për t’u thënë shumëve si këta më sipër:- BOLL ME KAQ! Por jo vetëm kaq, nuk mjafton vetëm kaq.

Ne besojmë se nënpunësit e korruptuar të administratës na kanë ardhur me parashutë si mërgata nga planeti Mars apo ndonjë planet tjetër i rrejshëm. Por në fakt, këta nënpunës janë një pjesë familjeve tona, e fiseve dhe e farefiseve tona, janë pjesë e komuniteteve në qytetet a fshatrat tona. Duhet patjetër t’ia nisim një pastrimi të madh në shoqërinë tonë. Një pastrim i cili do të na ndihmonte të shikonim më larg dhe më kjartë se cila do të ishte perspektiva e zhvillimit tonë, nëse do të kishim filluar me thënien hapur të së vërtetës si dhe mbrojtjen me çdo kusht të të vërtetës, si e vetmja mënyrë për të na çuar në krijimin dhe ndërtimin e Drejtësisë që aq fort po na mungon në çdo aspekt në Shqipëri.

Për të ndryshuar apo rilindur Shqipëria, për tu zhvilluar ne dhe gjithë kombi ynë, pikësëpari na duhet një qasje e Re. Na duhet të fillojmë me këmbëngulje qasjen drejt Shqipërisë së Re, pa korrupsion, plot me solidaritet, plot vërtetësi dhe drejtësi, pa gënjeshtra dhe pa anashkalim të së vërtetës!

(Kryetar i Partisë Lëvizja Shqipëria e Re)

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit