

Redaksionale NOA.al
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas burimeve të publikuara nga vetë Partia Socialiste, ka vendosur që të largohet nga koalicioni qeveritar me Berishën duke u bërë pjesë sërish e të majtës ku ishte deri katër vjet më parë.
PS shpërndau lajmin në media sot, pikërisht në ditën e 1 Prillit njohur në gjithë botën si dita e gënjeshtrave.
Në fakt i tërë ky zhvillim nisi disa orë pasi NOA.al publikoi në hyrje të datës 1 prill, një lajm për 1 prillin, ku aludonte se Meta largohej nga Berisha dhe rikthehej tek PS. Lajmi për 1 prillin jepte mesazhe domethënëse në vijim, të asaj dëshire të shqiptarëve për largim të urrejtjes politike dhe sugjeronte se PD e PS do të ishte më e udhës të punonin së bashku për integrimin e vendit.
Largimi i Ilir Metës nga koalicioni me Berishën, ndonëse u bë i ditur këtë të hënë, duket se nuk do të jetë i menjëhershëm, zyrtarisht.
Burimet nga PD, LSI dhe PS që ka arritur të sigurojë NOA.al, zbardhin skenarin e të ardhmes së koalicionit aktual dhe atij që pritet të mbërrijë.
Kreu i LSI, Ilir Meta do të presë që PS të bëjë një ftesë zyrtare ndaj LSi për t’u afruar në koalicion parazgjedhor. E kjo ftesë pritet të bëhet këtë të martë në një mbledhje të pritshme të Kryesisë së PS.
Sakaq, marrëveshja Meta-Rama ka një pikë që duket se është arritur nga ana e kreut të LSI. Edi Rama ka vendosur të pranojë kërkesën e Metës që të lejojë deputetët e PS të votojnë tre ligjet që mbajnë pezull prej tre vjetësh procesin e integrimit, dhënien e statusit vend kandidat dhe çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Pasi LSI të marrë ftesën e PS, pritet që kjo të pasohet me votimin të enjten të tre ligjeve në Kuvend. E hapi i mëtejshëm, do të jetë shpallja e pranimit të ftesës së PS, prishja e koalicionit me PD dhe dalja nga qeveria e ministrave të LSI.
Por sa e lehtë do të jetë e gjitha kjo?
Së pari për LSI shfaqet një problem i madh: Aktualisht kjo parti kontrollon 20 për qind të qeverisë dhe të gjitha institucioneve shtetërore në qendër dhe në bazë që kontrollohen nga ekzekutivi.
Së dyti, të paktën “sa për sy e faqe”, Rama duhet të kërkojë nga Kryesia e PS që të lëshohet një ftesë ndaj Metës që të bashkohen për zgjedhje.
Shenjat e para që Rama nuk do ta ketë aq të lehtë, u dhanë që sot, pak minuta pasi doli lajmi për një marrëveshje Meta-Rama.
Pandeli Majko, lëshoi këtë mesazh publikisht: “Rilindja e së vërtetës është shpresa për nesër. Kam zgjedhur koalicionin e 21 janarit dhe jo atë të 1 prillit. Nesër është 2 prill. Ditë e bukur për “tu vrarë”.
Thënë më shkoqur, Majko është totalisht kundër rikthimit të Metës në PS, duke kujtuar për të gjithë se demonstrata e përgjakshme e 21 janarit 2011 erdhi pikërisht për shkak të Ilir Metës.
Orët dhe ditët në vazhdim, dot ë qartësojnë më shumë se si do të precipitojë politika plot surpriza e partive shqiptare. /Redaksionale NOA.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





