

Shkup, 1 prill 2013/ NOA.al/ Naser Pajaziti – Qeveria në Shkup, njoftoi të hënën se do të marrë një kredi të re prej 100 milion euro nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB). Ministri i Financave, Zoran Stavrevski deklaroi se BIE pritet të miratojë kredinë, e cila do të dedikohet për nxitjen e biznesit të kompanive të vogla dhe të mesme.
“Ne inkurajojmë kompanitë e vogla dhe të mesme që të shfrytëzojnë këto mjete për zhvillimin e biznesit të tyre. Nga linja e kredisë së parë prej 100 milionë euro, 50 milionë euro janë shfrytëzuar nga kompanitë, ndërsa javën e ardhshme do të jenë në dispozicion edhe 12 milionë euro për kompanitë që tashmë janë zgjedhur për të përfituar nga këto kredi”, theksoi ministri i Financave, Zoran Stavrevski gjatë një takimi me biznesmenët e Kumanovës.
Kreditë për kompanitë e vogla dhe të mesme jepen përmes Bankës Maqedonase për Përkrahje dhe Zhvillim, që është me kapital shtetëror. Banka Evropiane e Investimeve vitin e kaluar ndau kredi prej 250 milion eurove për Maqedoninë. /n.p/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





