Transmetuar më 01-04-2013, 03:04

Kërkesa publike e bërë nga Partia Socialiste Europiane përmes dy prej zyrtarëve më të lartë të saj, që Edi Rama dhe Ilir Meta të bashkohen me qëllim që e majta shqiptare të fitojë zgjedhjet, duket se është pranuar nga kreu i PS dhe LSI.

Bëhet e ditur se Meta ka pranuar kërkesën e PSE duke vendosur prishjen e marrëveshjes me PD që skadonte më 23 qershor, daljen nga qeveria dhe tërheqjen e ministrave si dhe 20 për qind të të gjithë personave të administratës shtetërore që kanë zënë postet në emër të LSI, si dhe kalimin në koalicion të përbashkët me Partinë Socialiste.

Gjatë ditës së hënë, z.Ilir Meta do të dalë para medieve për të shpallur publikisht vendimin e largimit nga qeveria dhe futjen në koalicion me Edi Ramën.

Ky zhvillim i vrullshëm ka shqetësuar shumë kryeministrin Sali Berisha i cili kohët e fundit i ka ndërprerë thuajse fare kontaktet me kreun e LSI.

Bëhet e ditur se për të shpëtuar qeverinë aktuale, z.Berisha ka organizuar dhe zhvilluar një takim të fshehtë me z.Edi Rama duke u takuar në një lokal në qendër të Tiranës.

Dy emrat kryesorë të politikës kanë vendosur që të dalin me një vendim të përbashkët: PS të refuzojë futjen e LSI në koalicionin opozitar.

Ndërkohë bisedimet kanë përfunduar mes Berishës dhe Ramës me rënien dakord që deri në zgjedhje të jetë një qeveri e drejtuar nga Berisha, duke u konsultuar ngushtë me kreun socialist Edi Rama.

Dy palët kanë hedhur edhe idenë e anulimit të zgjedhjeve dhe daljes në një vendim për qeveri të përbashkët Berisha-Rama, që do të zhbllokonte plotësisht mosvotimin e ligjeve të integrimit dhe mund t’i japë një nxitje më të madhe përmirësimit të legjislacionit dhe jetës së qytetarëve.

Gjatë ditës së hënë pritet një konferencë e përbashkët për shtyp e Berishës dhe Ramës ku do të shpallin rënien dakord për pikat e mësipërme.

***

Të nderuar lexues. Sot është data 1 prill. Përveçse dita e parë e javës dhe e muajit pranveror, botërisht njihet edhe si dita e gënjeshtrave.

Ky shkrim që lexuat më sipër është i gënjeshtërt. Por disa fakte të renditura aty, janë mëse të vërteta. Ajo që nuk është e vërtetë, është një frymë e tillë bashkëpunimi sic edhe sugjerohet në këtë shkrim redaksional të NOA.al. Një shkrim që sugjeron largim të kulisave politike, bashkëpunim mes armiqve të egër politikë dhe për rrjedhojë përshpejtim të punës në dobi të të gjithë shqiptarëve.

Edhe pse ky shkrim nuk është i vërtetë, ai vjen si një apel që politika shqiptare t’i thotë mjaft, kësaj fryme armiqësore që shtrihet nga qendra deri në bazë.

NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit