



Kajro, 31 mars 2013, NOA.al- Në kuadrin e vizitës zyrtare në Egjipt, Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti u prit në takim nga Presidenti egjiptian, Mohamed Morsi.
Ministri Panariti i përcolli Presidentit Morsi urimet e Presidentit Nishani dhe Kryeministrit Berisha, të qeverisë dhe popullit shqiptar për procesin e reformave demokratike që po ndërmerren në Egjipt pas revolucionit demokratik të tetorit.
Nga ana e tij Presidenti Morsi vuri në dukje se Republika e Egjiptit i konsideron si shumë të rëndësishme marrëdhëniet me Republikën e Shqipërisë.
“Mes të dy popujve, ekzistojnë lidhje të forta historike dhe kjo vizitë është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të forcimit të marrëdhënieve mes dy vendeve”, deklaroi Morsi.
Të dy bashkëbiseduesit i cilësuan shumë të mira raportet politike mes dy qeverive dhe theksuan dëshirën për fuqizimin e mëtejshëm të tyre në fushën ekonomike dhe në fusha të tjera. Ata theksuan se ekziston një potencial shumë i madh për bashkëpunim në raportet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve sidomos në fushën e energjetikës, bujqësisë, turizmit etj. Gjithashtu, ata shprehën vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, kulturës dhe shkencës.
Duke u ndalur në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, Ministri Panariti u ndal në çështjen e Kosovës dhe dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë kontekst ai shprehu falenderimin për qëndrimet konstruktive të Egjiptit në raport me Kosovën dhe për mbështetjen që Egjipti ka dhënë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ai vlerësoi gjithashtu, hapat që janë hedhur nga Egjipti drejt njohjes së Kosovës dhe shprehu dëshirën që njohja e shtetit të Kosovës nga Egjipti të formalizohet në një kohë të shpejtë.
Nga ana e tij, Presidenti Morsi theksoi se Egjipti është i interesuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe në këtë drejtim ka vendosur raporte bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës. Ai tha se Egjipti ndjek me mjaft interes bisedimet mes autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë dhe shpreson në arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve. Për sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës nga Egjipti ai tha se ky është një proces që pritet të formalizohet së afërmi.
Në përfundim të takimit Panariti përsëriti ftesën e Presidentit Nishani drejtuar Presidentit Morsi për të vizituar Shqipërinë, e cila u prit me kënaqësi.a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





