Transmetuar më 27-03-2013, 16:48

Rrjeti i supermarketeve Euromax, është shitur sërish. Lajmin e bëri të ditur media greke e cila citoi një komunikatë për publik nga shoqëria Marinopulos.

Sipas saj, rrjetin e supermarketeve Euromax në Shqipëri me 23 njësi në disa zona të vendit, e ka blerë Marinopulos.

Shitja e Euromax vjen pak javë pasi pronari i parë i saj Samir Mane, e kishte riblerë nga blegat e Delhaize.

Historiku i Euromax nis rreth tetë vjet më parë, kur u hap hipermarketi Euromax në QTU pranë Tiranës. Atëherë Euromax nisi punën dhe disa kohë më vonë iu shit serbëve të Delta. Serbët e shitën Euromax tek belgët e Delhaize dhe këta të fundit ia shitën sërish pronarit të parë, Samir Mane.

Tani që Euromax i kaloi kompanisë Marinopulos, praktikisht, bëhet zgjerim i Carrefour i cili është deri sot një i vetëm tek qendra tregtare TEG në dalje të Tiranës.

Është kompania greke Marinopulos, ajo që ka në zotërim supermarketin Carrefour në TEG dhe tani, konfirmon se ka blerë edhe rrjetin e supermarketeve Euromax në Shqipëri.

Kompania tha se e ka blerë rrjetin nga kompania shqiptare Balfin Group, në pronësi të biznesmenit të njohur Samir Mane.

“Kjo marrëveshje përmirëson praninë e Marinopulos në Shqipëri dhe është pjesë e strategjisë së zgjerimit në tregun ballkanik,” thuhet në komunikatën e kompanisë”.

Ajo shton se rrjeti Euromax ka 23 dyqane, ku 17 janë në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Fier, një në Vlorë dhe një në Elbasan.

Në këtë mënyrë Marinopulos bëhet me 24 njësi dhe thotë se pret një xhiro prej 40 milionë euro në Shqipëri.

Kompania ka gjithsej 860 njësi në rajonin e Ballkanit, ku 800 gjenden vetëm në Greqi dhe pjesa tjetër, 16 në Qipro, 17 në Bullgari, një në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në Shkup tek City Mall si dhe 24 në Shqipëri.

Duke iu referuar hapësirës në Shqipëri Marinopulos tha se me 24 dyqanet aktualisht ka 19521 metra katrorë sipërfaqe tregtimi duke shtuar se janë të paktën 500 të punësuarit në këtë rrjet supermarketesh.

Grupi Balfin, deklaratë zyrtare mbi shitjen e rrjetit të supermarketeve Euromax: Realizohet marrëveshja e kalimit të aksioneve tek Marinopulos

Grupi Balfin, kompania më e madhe private në Shqipëri, finalizoi sot shitjen e plotë të aksioneve të rrjetit më të madh të supermaketeve në vendin tonë, Euromax. Marrëveshja e arritur do të realizojë kalimin e 23 supermarketeve të Euromax në pronësi dhe menaxhim të Grupit Marinopulos, i cili deri më sot ka qenë i pranishme në Shqipëri vetëm nëpërmjet supermarketit Carrefour në TEG. Tashmë pritet edhe vendimi i Autoritetit të Konkurencës për këtë marrëveshje midis dy kompanive.

Për Balfin Group ky ka qenë një kalim i rëndësishëm aksionesh sepse u arrit që në një kohë shumë të shkurtër, që nga blerja e Euromax nga belget e Delhaize në vitin 2012, rrjeti të zhvillohej cilësisht dhe të rriste numrin e klientëve dhe shitjeve. Shitja e rrjetit të supermarketeve Euromax është pjesë e filozofisë dhe e mënyrës së operuarit të grupit duke realizuar investime në fusha të ndryshme biznesi. Në këtë kuadër operacionet e tilla janë normale për Balfin Group, një ndër kompanitë më të mëdha në Shqipëri dhe një ndër më të rëndësishmit në rajon. Në të gjitha operacionet e investimeve Grupit Balfin është shoqëruar nga histori të suksesshme që i kanë paraprirë zhvillimeve të mëtejshme në ekonominë Shqiptare e më gjerë.

Nga ana e Grupit Balfin është siguruar që stafi i Euromax nuk do të ndikohet nga ky kalim aksionesh. Kjo ka qenë një nga kushtet e grupit parashtruar gjatë realizimit të kalimit të aksioneve. Gjithashtu janë marrë të gjitha masat që as klientët besnikë të Euromax të mos ndikohen nga ky ndryshim i pronësisë. Është në politikat manaxheriale të Grupit Balfin përkujdesja nga punonjësve dhe klietëve në të gjitha fushat ku ka shtrirë aktivitetin.

Grupi i Investimeve Balfin, është kompania zotëruese dhe menaxhuese e kompanive që operojnë për Balfin. E themeluar në vitin 1993, Balfin është një ndër kompantë më të mëdha private në Shqipëri. Grupi Balfin e ka të kategorizuar investimin e tij në zhvillimin e pasurive të patundshme, aktivitete për shitje me pakicë dhe industrinë minerare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit