

Skrapi është bërë personazhi më i rëndë i tokës arbërore. Për të qenë sa më modernë, kanë filluar ta ndjellin Mister Skrap! Diçka alla amerikane! Mister Skrapi të bën hajdut. Të fut në burg. Të prish ndërgjegjen. Por, të bën edhe zengjin. Mister Skrapi ka zyrat e tij të punësimit. Aty “falen” romët, arixhinjtë, siç i quajnë nga anët tona, nga Përmeti.
Nga Mitro Çela
Mister Skrapi krijon edhe telashe. Le të ndjekim disa skenarë. Treni u nis nga Tirana. Ditë me shi. Mjegull. Ngricë. Treni arriti në Lushnjë. Nuk mund të shkonte më tej. Natë. Hajdut me çizme kishin vjedhur pllakat që lidhin shinat e hekurudhës. Në një distancë 2-3 kilometra. Pasagjerë zbritën nga treni. Të mërzitur. Hipën në furgonë duke mallkuar qeverinë… Haberi nuk bëri shumë jehonë. Normale. Skenarë të tillë janë luajtur aq shumë mes shinave të trenit, saqë janë bërë bajate. Skenari numër dy: Mister Skrapi është vendosur në Fier. Vidhet çdo gjë metalike që mund të shkrihet në furrat e metalurgjisë. Vjedhjet bëhen me aksion. Fillohet nga fushat e naftës. Vidhen tuba nafte. Shtylla metalike. Pjesë të puseva. Në shumë raste, puset e naftës të kujtojnë “patat e Nastradinit”: Të pjekura, mbeteshin me një këmbë! Hajdutët janë shtuar në numër. Janë bërë më të rafinuar. Nuk dinë vetëm të vjedhin, por edhe të fshihen për të mos i kapur policia. Hajdutët janë bërë edhe trima. Jo rrallë përdorin edhe armë zjarri. Disa ditë më parë u plagos nga hajdutët e skrapit një qytetar nga Patosi. Skenari numër tre: Qyteti i ndritur i një-mbi-një dritareve, Berati. Duke qenë qytet nën kujdestarinë e UNESKO- s, janë gjetur investime. Janë shtruar rrugët. Janë mbuluar kanalet me kapakë metalikë. Janë vendosur shtylla për ndriçim. Gjëra të mira për qytetarët. Gjëra më vlerë për Mister Skrapin. Dhe hajdutët rrëmbejnë kapakët metalikë të pusetave; telat e bakrit për ndriçim. Çdo gjë! Nuk di pse, këto bëma më kujtuan një histori që ma ka treguar Kozma Dushi, që është nga Berati: – Kisha një biçikletë. Të vjetër. Por më bënte punë. Çoja kalamajtë në shkollë. Një ditë e lidha biçikletën pas një peme. Me zinxhir të trashë. Nuk gjeje sharrë ta sharronte… Kthehem, – kujton Kozmai, – ishte zhdukur biçikleta pa lënë gjurmë. Ishte këputur zinxhiri? Jo. Hajduti kishte sharruar pemën për të marrë biçikletën! Fantazia e hajdutit, -tregon Kozmai, – ma lehtësoi dhimbjen e humbjes së biçikletës. Mister Skrapi ka bërë fansa në gjithë Shqipërinë. Po halli?! Më erdhi ndër mend një histori e vjetër. Në Francë, shumë dekada më parë, mileti u sëmur nga malaria. Sëmundje e rëndë. Shkencëtarët vranë trutë. Dikush propozoi të vriten mushkonjat. Dikush të shpërndahen ilaçet falas… Punë pa bereqet. Kur malaria arriti në zenit, u gjet ilaçi: “Malaria nuk luftohet duke vrarë mushkonjat, por duke tharë kënetat”. Morali i përrallës. Hajdutët e skrapit do dalin gjithmonë fitimtarë me policinë. Sepse ata janë shumë. Gjenden kudo ku ka hekur. Në Tiranë, Durrës, Vlorë – vjedhin pusetat. Në katund vjedhin tubat e ujit. Por ka një rrugëzgjidhje. Policia nuk duhet ta ndjekë hajdutin te burimi. Ajo duhet të shkojë te “lumi”, ku derdhet skrapi: Në fonderitë. Ato numërohen me gishtat e dorës! Nuk mungon as përvoja. Në Tiranë, një brigadë me 80 romë përmbyste kazanët e plehrave për të marrë kanaçe. Pisllëku mbuloi kryeqytetin. Historia u përsërit për vite me radhë. Një ditë Lulzim Basha ndryshoi taktikë. I la të lirë romët. Mbylli pikat e grumbullimit të kanaçeve… Mos vrit mushkonjat: – Thaj kënetat! (Panorama)
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





