

Tiranë, 31 dhjetor 2012, NOA- Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 942/3, datë 31.08.2012 të ushtruar në Bashkinë Pogradec, ka konstatuar një sërë shkeljesh me pasoja të rënda.
Bazuar në këto shkelje Kontrolli i Lartë i Shtetit inicioi kallëzimin penal për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal, për Kryetarin aktual të Bashkisë Pogradec, si dhe dy nënkryetarët dhe tre drejtues të tjerë të kësaj bashkie.
Auditimi i zhvilluar në këtë bashki, evidentoi se në zonën e qendrës së qytetit janë dhënë një sërë lejesh sheshi dhe ndërtimi në mungesë të Planit të Përgjithshëm Rregullues dhe të Studimit Urbanistik Pjesor të qendrës së qytetit të miratuar në KRRTRSH, veprime këto të kryera në kundërshtim me Ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe me vendimin e KRRTRSH nr. 3, datë 21.8.2002 “Për dhënien e lejeve të ndërtimit në qendrat e qyteteve”.
Gjithashtu auditimi evidentoi se nga KRRT e Bashkisë Pogradec, janë miratuar një sërë Studime Urbanistike Pjesore dhe leje ndërtimi në shkelje të kondicioneve urbanistike në kundërshtim të hapur me Ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën” dhe VKM nr. 722, datë 19.11.1998 “Për miratimin e Rregullores së Urbanistikës”. Konkretisht është konstatuar dhënie leje ndërtimi për piste të shfrytëzueshme në prone publike (liqen) në kundërshtim me Ligjin nr. 8652, datë 31.7.2000 “Mbi organizimin dhe funksionimin e Qeverisjes Vendore” i ndryshuar, Ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 “Për Urbanistikën”, Ligjin nr. 8743, datë 22.02.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, dhe Ligjin nr. 8093, datë 21.3.1996 “Për rezervat ujore”. Nga auditimi i procedurave të e prokurimit në këtë bashki, janë konstatuar veprime të kundraligjshme që kanë sjellë dëme të konsiderueshme në lekë.
Ato kanë të bëjnë me shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i stadiumit dhe ambienteve rreth tij”, për të cilin është s’kualifikuar pa të drejtë ofertuesi me ofertën ekonomike më të vogël në vlerën 3,429,652 lekë e cila përbën dëm ekonomik si dhe për sa i përket zgjedhjes së procedurave të prokurimit në kundërshtim me Ligjin 9643, datë 20.12.2006 si tenderi me objekt “Rikonstruksioni i Shëtitores 10 Dëshmorët e Pojskës” etj.
Gjithashtu, nga auditimi kanë rezultuar një sërë veprime të kundraligjshme në lidhje me nënshkrimin e kontratave të qerasë për ambiente në interes të institucioneve të treta në dëm të interesave të institucionit dhe në kushtet e konfliktit të hapur të interesit të parashikuar në Ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike” për kontratën e marrjes me qira ambiente ndërtese dhe oborre të fondacionit “EDU-PRO”, themelues i të cilit është titullari i institucionit, Kryetari i Bashkisë.
Në total nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, si pasojë e veprimeve të mësipërme penale dhe shkeljeve të tjera të legjislacionit financiar dhe atij që ka të bëjë me zbatimin e kontratave për punë publike dhe taksat në fushën e urbanistikes, është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 46,411,128 lekë.
Për të gjitha veprimet e mësipërme i janë përcjellë Prokurorisë së Rrethit Pogradec të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse, ditën e sotme.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





