Transmetuar më 31-12-2012, 14:45

Tiranë, 31 dhjetor 2012, NOA- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka përzgjedhur që takimin e fundit për vitin 2012, ta bëjë me mjekët dhe pacientët e kardio-kirurgjisë. Kryebashkiaku i ka dhuruar këtij pavioni 10 kondicionerë dhe dushe, si kontribut sado modest, në përmirësimin e kushteve për pacientët.

Këto investime bëjnë të mundur tani në dimër, një ambient më të ngrohtë dhe kushte më të mira higjienike, ndërsa në verë ku situata është dhe më e ndërlikuar, për shkak të temperaturave të larta mundësojnë uljen e temperaturës në nivele optimale, çka është shumë e rëndësishme për shëndetin e të sapo-operuarve, veçanërisht atyre që kanë pasur kirurgji të zemrës.

Kreu i Bashkisë premtoi se në vitin 2013, Bashkia do të kontribuojë në zëvendësimin e krevateve të këtij pavioni me 10 dhoma.

“Shoh që ky donacion nga ana e Bashkisë, jo vetëm që është mirëpritur nga pacientët e doktorët por ka sjellë me të vërtetë një ndryshim të theksuar të kushteve të pas operacionit dhe të motivuar nga kjo, jemi të vendosur që vitin që vjen, partneritetin me këtë klinikë të rëndësishme të QSUT, ta çojmë një hap më tej, duke zëvendësuar plotësisht 35 shtretërit, me shtretër të parametrave evropianë, në mënyrë që edhe shtretërit e kësaj klinike, të kenë të njëjtin standard me shërbimin në këtë klinikë, për të cilin dua edhe një herë, si qytetar por edhe si kryetar i bashkisë më të madhe në vend, që ka edhe pacientët më të shumtë, të falënderoj nga zemra stafin e përkushtuar, profesionist dhe të ri të kardio-kirurgjisë në qytetin e Tiranës”, u shpreh Basha.

a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit