

Prishtinë, 29 dhjetor 2012, NOA- Ministri i Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbajtur konferencën përmbyllëse për vitin 2012, si dhe ka organizuar një pritje për gazetarët.
Hoxhaj gjatë konferencës ka prezantuar arritjet dhe sfidat kryesore të diplomacisë kosovare gjatë këtij viti, ku vlerësoi se 2012 ishte vit i fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha aspektet, raporton noa.al.
“Viti 2012, pas vitit 2008, kur ne e shpallëm së bashku Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ka qenë ndër vitet më të suksesshme që ka pas Republika e Kosovës. Gjatë këtij viti, ne si Ministri e Jashtme kemi pas një agjendë të matshme, precize kohore, një agjendë të saktë javore, mujore e vjetore dhe në bazë të kësaj agjende ne kemi bërë përpjekje maksimale që gjatë tërë vitit të prezantojmë interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, t’i prezantojmë interesat tona politike, ekonomike dhe kulturore në çdo pjesë të botës dhe natyrisht t’i përfaqësojmë edhe interesat e qytetarëve të Kosovës”, tha Hoxhaj.
Ai fillimisht prezantoi arritjet e diplomacisë kosovare në procesin e njohjeve, duke theksuar se gjatë këtij viti Kosovën e kanë njohur 13 shtete të botës, apo më shumë sesa një njohje për çdo muaj.
Në këtë pikë, Hoxhaj ka theksuar angazhimin maksimal në këtë proces, duke falënderuar edhe shtetet partnere të Kosovës, për ndihmën e madhe që kanë ofruar.
Lidhur me diplomacinë multilaterale, Hoxhaj tha se gjatë këtij viti, Republika e Kosovës është anëtarësuar në 11 organizata ndërkombëtare rajonale dhe se është avancuar fuqishëm agjenda integruese e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst, ai ka veçuar anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Lidhur me marrëdhëniet diplomatike që ka vendosur me 47 vende të botës, Hoxhaj bëri të ditur se u janë dërguar shkresa për të vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, të gjitha shteteve të tjera të cilat tashmë kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
Hoxhaj theksoi edhe fuqizimin dhe shtrirjen e rrjetit diplomatik të Kosovës, hapjen e Ambasadës në Australi, hapjen e konsullatave të përgjithshme në Stamboll, Gjenevë dhe Strasburg, emërimin e konsujve të nderit dhe shtimi i mbulimit të vendeve përmes ambasadorëve jo-rezident.
Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera ministri Hoxhaj shpalosi edhe rezultatet dhe arritjet në diplomacinë publike, duke veçuar strategjinë për diplomacinë digjitale, e vlerësuar shumë lartë edhe nga mediet ndërkombëtare.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





