

Tiranë, 29 dhjetor 2012, NOA- Partia Demokratike në një deklaratë për median thekson se kreu socialist, Edi Rama u dërgoi si kartolinë urimi për festat e fundvitit shqiptarëve, murin e bllokimit të statusit të vendit kandidat për vend anëtar të Bashkimit Europian.
Sipas PD, këtë akt të pashembullt në historinë e procesit të integrimit të ndonjë vendi në Bashkimin Europian, kreu i bllokmenëve të rinj, përpiqet ta maskojë me shpifje dhe trillime të denja vetëm për moralin e neobllokmenëve kundër familjarëve të kryeministrit, raporton noa.al.
“Partia Demokratike dënon aktin e shëmtuar të pasardhësve të bllokmenëve hoxhistë të mosvotimit në Parlament të tre ligjeve që kërkohen nga Komisioni Europian, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian dhe Parlamenti Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë si atentatin më të rrezikshëm kundër interesave jetike të të gjithë shqiptarëve, integrimit të tyre në Bashkimi Europian. Me murin e tij të bllokimit Edi Rama u mohon shqiptarëve qindra milionë euro të domosdoshme për infrastrukturën, rrugët, kanalizimet, shkollat, spitalet e tyre”, vijon deklarata për shtyp.
Partia Demokratike thekson se shqiptarët më 23 qershor, do të shembin murin e bllokimit, ashtu siç shembën murin e izolimit të etërve të tyre bllokmenë hoxhistë.
b.gj/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





