Transmetuar më 29-12-2012, 13:38

Tiranë, 29 dhjetor 2012, NOA – Ministri i Bujqësisë Genc Ruli u shpreh sot se gjatë viteve të fundit janë 10 fishuar investimet në sektorin e verës. Investimet në këtë sektor nga 4.1 milion lekë në vitin 2000 arritën në 41.3 milion lekë në vitin 2011. Shifrat u konfirmuan dhenta Ministri Genc Ruli, i cili gjatë një vizite që bëri në një prej kantinave më të mira në vend tha se aktualisht në Shqipëri janë rreth 100 sipërmarrje që operojnë në këtë sektor, nga vetëm 22 që ishin në vitin 2000.

Në kantinën Kokomani në Gjepalaj të Durrësit, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit inauguroi investimet e reja që në një pjesë të konsiderueshme u mbështetën nga subvencionet shtetërore. Ministri Ruli tha se ka iniciativa shumë serioze për prodhimin e verës shqiptare.

“Vera është malli më prezent në festat dhe tavolinat e fundvitit. Industria e verës te ne është një industri e re dhe në përgjithësi, vreshti për verë dhe industria e verës është fenomen i dekadës së fundit dhe është një ringjallje shumë më cilësore seç ka qenë historia e mëparshme e verës në Shqipëri. Shtytje kryesore janë dhe vetë investitorët, me zgjuarsinë e tyre për të krijuar fermën e madhe të vreshtit, fermën që arrin ekonominë e shkallës dhe padyshim investimet që janë bërë në kantinat e vendit janë të konsiderueshme dhe me vlerë”,  u shpreh Ruli.

Ai i shpreh se sot në vend ka një numër të madh prodhuesish. “Atë që e quaj pozitive është që shumë nga prodhuesit e verës në Shqipëri kanë filluar ta kuptojnë që një avantazh që ne mund të kemi për të mbuluar nevojat e tregut shqiptar për këtë produkt cilësor është që të përdorim dhe shfrytëzojmë varietetet autoktone. Jo çdo gjë është e qartë në këtë drejtim, pasi ka ende një kultivim gjeografikisht jo të duhur të varieteteve autoktone, por sigurisht që kthimi dhe fuqizimi i vreshtave me varietet autoktone dhe prodhimi i verës përkatëse do na japë mundësinë që dhe ne të kemi një  verë me emrin vera shqiptare”, – tha ministri Ruli. a.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit