Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në takimin e fundit me anëtarësinë e partisë për këtë vit, i cilësoi si suksese festimet në mënyrë institucionale në Shkup për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, vizitën e dy kryeministrave shqiptarë Sali Berisha dhe Hashim Thaçi.
Ai gjithashtu e përmendi edhe nderimin e dëshmorëve të UÇK-së nga ana e oficerëve të ARM-së duke theksuar edhe një herë se ajo ngjarje dhe manifestimet për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë nuk janë bërë për të provokuar askënd, raporton MIA.
Ahmeti u shpreh se viti 2013, do të jetë i rëndësishëm për arsye se vendi do të ketë zgjedhjet lokale, dhe se ende duhet të punohet. Sipas tij, mosmarrja e datës për anëtarësim në BE nuk do të thotë se është dështim, pasi ka progres.
"Nuk ka ftesë por ka progres, sepse për Maqedoninë nuk ka nevojë të thirret samit, do të thotë që një hap është bërë drejtë BE-së, është shumë domethënëse, dialogu substancial që është një hap që na afron drejt BE-së", shtoi ai.
Në lidhje me ngjarjet e së hënës në Kuvend, lideri i BDI-së u shpreh se opozita gjegjësisht LSDM-ja nuk ka gjetur mënyrën më të mirë për demonstrimin e bindjeve të saj, përmes bojkotit si dhe ka dënuar largimin e gazetarëve nga salla e Kuvendit.
"Buxheti është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët sepse aty janë të ardhurat për të gjithë. Ne e dënojmë dëbimin e gazetarëve nga Parlamenti, sepse mediat duhet të lihen të bëjnë punën e tyre pavarësisht se si ata komentojnë apo interpretojnë, a na pëlqen ose jo, ne duhet t’i bëjmë punët ashtu siç kemi bindjet tona. BDI do të kontribuojë që opozita të kthehet në parlament. BDI do të punojë që të afrohemi për qëllime të larta, sepse, për imazhin e shtetit duhet të gjithë, dhe përgjegjësi kemi të gjithë. Nuk duhet që të punojmë në drejtime të kundërta, pavarësisht nëse jemi në pozitë apo opozitë", tha Ahmeti në takimin e fundit me anëtarësinë e partisë për këtë vit.
noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd