

Lushnje, 28 dhjetor 2012, NOA- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta në një takim me qytetarë të rrethit të Lushnjes, deklaroi se forca politike që ai drejton do bashkëpunojë me gjithë ata që kanë interesa parësore integrimin e vendit.
Ai theksoi se kokëfortësia dhe ankthet elektorale po mbajnë peng të ardhmen europiane.
Meta nënvizoi se LSI është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë ata që kanë prioritet gjallërimin jo asfiksimin e sipërmarrjes së lirë.
“Qeveria dhe opozita duhet te bashkëpunojnë për një klime inkurajuese për biznesin. Gjuha armiqësore që përdorin disa politikanë ndaj biznesit është e gabuar. Përpjekja për të shtirë konfliktin politik dhe tek biznesi dëmton interesat e vendit. Duhet te ecim më shpejt drejt integrimit duke ngritur ura bashkëpunimi jo mure ndarës”, deklaroi Meta citon noa.al.
Ai deklaroi se LSI është konfirmuar fuqishëm si një faktor i domosdoshëm i stabilitetit të vendit, si një faktor shumë i rëndësishëm për të detoksikuar klimën politike në vend.
a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





